
Duke iu referuar mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak, në të cilin u miratua edhe buxheti, Bashkia e Tiranës deklaron se buxheti i saj për vitin 2016 është më i madhi për këtë institucion dhe synon të zgjidhë një sërë problemesh, si investimet në shkolla, shtrirjen e rrjetit të transportit urban në të gjithë qytetin etj.
Në deklaratën për shtyp të Bashkisë Bashkisë së Tiranës thuhet se paketa e vitit 2016, ul taksat për biznesin e vogël si dhe për fermerët që punojnë tokën në pjesën rurale të qytetit.
"Fatkeqësisht, masat e guximshme të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës u ndeshën me agresivitetin barbar të disa këshilltarëve të opozitës, të nxitur drejtpërdrejt nga njeriu që për 4 vjet e degradoi qytetin dhe iu fsheh si struci çdo vendimi të rëndësishëm për qytetin. Pasi për 4 vjet nuk i dha zgjidhje as këtij problemi, e as ndonjë gjëje tjetër sepse qytetin e drejtonte nga Holanda, tani tërbohet e nxit një gjuhë urrejtjeje kur sheh se zgjidhjet ishin të mundura, por Lulzim Basha s'pati kurrë guximin t'i ndërmarrë ato. Pastrimi i qytetit, ndriçimi e zbukurimi i tij, zgjidhja e transportit urban, çerdhet e riparuara, shkollat e reja, riparimi i rrugëve e trotuareve, janë provat e paaftësisë së tij, ndaj dhe ai i sul taborët e antiqytetarisë kundër zhvillimit të qytetit", thuhet në reagimin e bashkisë.
PD-ja padit Erion Veliajn
Partia Demokratike do të kallëzojë në Prokurorinë e Tiranës kryebashkiakun Erion Veliaj, për vendime të marra në dëm të qytetarëve dhe në shkelje të ligjit.
Në një dalje para medieve, anëtari i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, Fabian Topollaj, akuzoi Veliajn se në ditët e fundit të 2015-s mori vendime të paligjshme, nga nguti për të mbyllur menjëherë aferat e tij prej mijëra eurosh.
"Për nder të Veliajt, dita e fundvitit 2015 të shpallet dita e vjedhjes qeveritare. Pavarësisht se një hajdut me eksperiencë dhe gjakftohtë, nxitimi për të vjedhur edhe natën e Vitit të Ri ka bërë që aktet e datës 30 dhjetor të jenë absolutisht të pavlefshme", deklaroi Topollaj.

Sipas Topollajt, Partia Demokratike është e vendosur t'i shkojë deri në fund betejës ligjore dhe qytetare për këto afera të pastra korruptive të ndërmarra nga Veliaj të cilat do të përkeqësonin edhe më tej jetën e qytetarëve.