TIRANE- Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe juristi i kësaj bashkie Atlis Hoti, janë marrë zyrtarisht të pandehur nga njësia hetimore Task-Forcë, pranë prokurorisë së Tiranës. Mziu dhe Hoti, janë paraqitur dje në prokurori, ku njëri nga anëtarët e grupit hetimor i ka komunikuar akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim dhe “Shkljes së barazisë në tendera dhe ankande publike”. Të kontaktuar në telefon nga gazeta “Shqiptarja.com”, burime pranë prokurorsë thanë se Mziu dhe Hoti kanë qëndruar rreth 30 minuta në prokurori, ku gjatë kësaj kohe dy zyrtarëve të bashkisë Kamëz, u janë komunikuar akuzat.

Me këtë veprim hetimor, njësia Task-Forcë ka vendosur të mbyllë hetimet për kryebashkiakun dhe juristin, ndërkohë mësohet se shumë shpejt dosja në ngarkim të tyre do i referohet për gjykim, gjykatës së Tiranës. Gjatë momentit të komunikimit të akuzës Mziu dhe Hoti nuk e kanë pranuar atë dhe se kanë shtuar se gjithçka që kanë për të thënë, do ja paraqesin gjykatës. Ndërkohë kur Mziu është marrë i pandehur një tjetër kallëzim kundër tij, pritet të rregjistrohet në prokurorinë e Tiranës për abuzime me ndihmën ekonomike.

Nuk don z.Xhelal Mziu
„Nuk don z.Xhelal Mziu“. Kjo është përgjigjia që për disa muaj me rradhë përfaqësuesit e kompanisë „Gjoka Konstruksion“ kanë marrë nga zyrtarët e bashkisë së Kamzës dhe më konkretisht nga avokati i këtij institucioni Atlis Hoti, i cili fliste në emër të kryebashkiakut Mziu. Në kallëzimin penal të kompaninë në fjalë janë renditur të gjitha shkeljet që përfaqësuesi i PD në Kamëz ka kryer lidhur me zhvillimin e ankandit të tenderit 890 milion lekë të vjetra për zgjerimin e rrugës „Zgjimi“ në zonën e Valiasit. Sipas kallëzimit pas fitimit të tenderin nga Komisioni i Prokurimit Publik, pas shumë procedurash Xhelal Mziu, ka pranuar të dërgojë një shkresë ku ftonte drejtuesit e kompanisë që të paraqiteshin në bashkinë Kamëz me qëllim nënshkrimin e kontratës.

Kjo shkresë është firmosur nga Xhelal Mziu në datën 23 gusht 2013 dhe fton përfaqësuesit e kompanisë që brenda 30 ditëve të paraqiten pranë Bashkisë Kamëz së bashku me dokumentacionin përkatës për nënshkrimin e kontratës. Zyrtarët e kompanisë janë paraqitur në datën 30 gusht 3013 në Zyrën Juridike të Bashkisë Kamëz së bashku me materialet e nevojshme për lidhjen e kontratës, por që në fakt nuk kanë arritur të lidhin asnjë kontratë.

24 ditë në burg
Xhelal Mziu ka qëndruar vetëm 24 ditë qëndrimi në qelitë e burgut 302 i kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu. Lirimi i tij nga gjykata e Apelit, është pritur me duartrokitje dhe brohoritje të rreth 100 militantëve të Mziut, që kishin mbëritur nga Kamza në dyert e gjykatës së Apelit. Treshja gjykuese Zina Sollaku, Agim Bendo dhe Zamir Poda shpallën me dyer të mbyllura masën më të lehtë, atë të “Detyrimit me paraqitje” një ditë të javës përpara oficerit të policisë gjyqësore, për Xhelal Mziun. Ndërkohë tre ditë pas këtij vendimi gjykata e Apelit vendosi ti ndryshojë masën e “Arrestit me burg” në Arrest shtëpie”, juristit të bashkisë së Kamzës Atlis Hoti. Të dy të pandehurit tashmë janë të lirë, ndërkohë pas vendimit të gjykatës, në Kamëz pati festime.




Shkrimi u publikua sot (25.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)