Bashkimi Europian i ka dënuar si “ilegale” zgjedhet e mbajtura nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës. Shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, tha se këto zgjedhje janë “një pengesë e re në rrugën drejt paqes”. Ajo shtoi se votimi është i paligjshëm dhe Bashkimi Europian nuk i njeh këto zgjedhje.


Ndërkohë qeveria e Kievit i ka quajtur thjesht një farsë votimet e mbajtuara në dy republikat e vetë-shpallura, në rajonet Donetsk dhe Luhansk. Ishte Presidenti Poroshenko ai që i bëri thirrje edhe Rusisë që të mos njohë rezultatin, por Moska zyrtare deklaroi se: “respekton vullnetin e popullit”.


Sipas autoriteteve lokale, Alexander Zakharchenko ka fituar zgjedhjet në Donjesk dhe tashmë pritet të bëhet kryeministri i rajonit pro-rus, ndërsa Igor Plotnitsky ka siguruar një fitore në Luhansk. Duke dekalruar se zgjedhjet ishin në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga Kievi dhe rebelet në Minsk, Zakharchenko premtoi të ardhme më të mirë në Donjesk.


“Populli ynë ka treguar se nuk është i aftë vetëm për luftë, por edhe të luftojë për një të ardhme të lumtur. Ne jemi të gatshëm për të biseduar me të gjithë ata që na dëgjojnë, me të gjithë ata që arsyetojnë dhe nuk do të ketë më gjakderdhje në tokën tonë.


Rebelët thonë se zgjedhjet do të legjitimojnë udhëheqjen separatiste dhe do të konsolidojnë pushtetin në mesin e kësaj krize humnanitare.


Të paktën 3.700 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i konfliktit në lindje të Ukrainës, si pasojë e luftimeve mes forcave të armatosura ushtarake ukrainase dhe rebelëve pro-rusë.


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter