Në takimin e Kuvendit të Asociacionit të Agjencive për Zhvillim Rajonal (ARDA- Association of Regional Development Agencies) të mbajtur me 18 janar 2016, Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, është emëruar Kryesues i Kuvendit të ARDA-së për periudhën vijuese 1 vjeçare, njofton zyra për informim e Komunës së Klinës.




Kryetari Bashota është anëtari i këtij Kuvendi që nga qershori i vitit 2015 në cilësinë e Kryesuesit të Bordit Drejtues të Agjencisë për Zhvillim Rajonal (AZHR) – Perëndim e cila mbulon territorin perëndimor të Kosovës, përkatësisht komunat e Pejës, Gjakovës, Klinës, Deçanit, Istogut dhe Junikut. Nën udhëheqjen strategjike të këtij Bordi Drejtues, AZHR-Perëndim është përgjegjëse për identifikim e fushave me prioritet për zhvillimin ekonomik të rajonit, si dhe hartimin dhe zbatimin e projekteve strategjike të cilat realizohen në rajon me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe donatorëve tjerë, duke përfshirë edhe ato që rrjedhin përmes qeverisë së Kosovës.

AdPlatformZone = {id: "549fcab82",format: "410x0"};


Në anën tjetër roli i ARDA-së është që të ngritë nivelin e bashkëpunimit me qeverinë dhe organizatat e ndryshme që veprojnë në nivel qendror, në mënyrë që kërkesat prioritare për zhvillim të rajoneve të integrohen në planifikimin strategjik të qeverisë dhe organizatave të huaja që mbështesin zhvillimin e Kosovës.

Kryetari Bashota ka mirëpritur këtë sfidë të radhës, duke e shprehur vullnetin e tij për të ndihmuar procesin e zhvillimit rajonal në Kosovë përmes angazhimit të tij të vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe, dhe shfrytëzimin e plotë të rrjetit të tij të bashkëpunëtorëve me qëllim të avancimit të ARDA-së, AZHR-ve dhe procesin e zhvillimit rajonal në tërë Kosovën. /Indeksonline/