Nga Express më 30 qershor 2011 në ora 20:33

Kryetari i Klinës, Sokol Bashota, ka marrë kritika të shumta nga përfaqësues të shoqërisë civile, të partive politike dhe qytetarë për mospjesëmarrje në debatin e organizuar nga OJQ Koha, të enjten, me temën “Politikat publike komunale dhe qytetari”.



I pari që e ka kritikuar Bashotën ka qenë kryetari i Vetëvendosjes në Klinë, Skender Merturi, ndërkohë që kritika në emër të pushtetit lokal kanë bërë edhe vetë punëtorët e Komunës, të cilët janë shprehur se flasin si qytetarë. “Mos prezenca e Sokol Bashotës tregon josinqeritet ndaj shoqërisë civile dhe qytetarëve që ia kanë dhënë votën”, citon koha.net Skender Merturin e Vetëvendosjes.



Ai akuzoi Bashotën se investimet po i orienton në vendlindjen e tij, Ceravikë, siç është rasti i një njësie të PTK-së e cila, në vend se të ndërtohet në Ujmirë, ku ka qenë me parë, ka nisur të ndërtohet në Caravikë. Shumë i ashpër ndaj kryetarit ishte edhe qytetari Imer Millaku.



“Bashota i ka marrë votat dhe tash nuk e sheh të nevojshme të bisedojë me qytetarët. Ai nuk i di as hallet e tyre… Kryetari duhet të jetojë në Klinë, ku e ka banesën bosh, e jo në Prishtinë”, tha ai.