"Bastet janë plaga e futbollit evropian dhe Shqipëria e ka "të drejtën e autorit", por Evropa Lindore e ka marrë prej tyre". Ky është konkluzioni në të cilin ka arritur gazetari i të përditshmes popullore italiane "La Stampa", Ivo Romano, në një analizë që i bën njërit prej fenomeneve më të shëmtuara, i cili po prish çdo ditë e më shumë imazhin e sportit. Romano e ka nisur shkrimin e tij duke përshkruar një rast të dyshimtë në 2004-ën. "Atë ditë te ‘Snai‘ (agjenci italiane bastesh) e kujtojnë mirë. Më pas e kanë kuptuar pse shumë sllavë ishin vënë në radhë për të vënë baste. Verë 2004, eliminatoret e kupave evropiane. Maqedonasit e Pobedas prisnin armenët e Pyunik. Një kuotë astronomike për ‘2‘-shin, një 6,50 e bukur, e cila do të pasuronte të mirinformuarit. Dhe kështu përfundoi: një rezultat befasues 1-3, një det me para në xhepat e bastexhinjve. Së bashku me dy humbje të skuadrave maqedonase, Sileks Kratovo dhe Sloga Jugomagnat, ka përfunduar në listën e ndeshjeve të dyshuara. Gjithçka ashtu sikurse ishte parashikuar. Dhe rreth 2 milionë euro të derdhura vetëm nga agjencitë e Romës dhe përreth. Tani Pobeda është në gjyq (më 17 prill): presidenti dhe një futbollist janë në bankën e të akuzuarit". Këto kanë bërë që UEFA prej kohësh të hapë sytë: lufta kundër korrupsionit është prioritet për Mishel Platini. Vera është momenti më i mirë, në të cilin mafia dhe "betting syndicates" (sindikatat e basteve) e mbërthejnë futbollin. Në Evropë bëhen pazaret, në Azi hidhet paraja. Sepse paratë e vërteta vihen nëpërmjet bastexhinjve aziatikë, atje janë lavanteritë e vërteta të parave të pista, që pranojnë baste me shifra hiperbolike. Pak më shumë se një vit më parë, "Der Spiegel" i hoqi kapakun një tenxhereje që po gëlonte. Gjermanët zbuluan edhe praktika të tjera manipulimi ndeshjesh në verën e vitit 2007, mes të cilave humbjen e Trans Narva (Estonia)-Helsinborg (Suedi) 0-6, barazimin mes Bezhanjas (Serbi) dhe Besës (Shqipëri). Pa harruar edhe një sërë ndeshjesh me skuadra gjeorgjiane: Zestaponi mundet nga Tobol Kostanay, Olimpi Rustavi humbet ndaj Zhenis Astana. Rezultate më se të dyshueshme. "‘Copyright‘-i (e drejta e autorit) e pazareve është shqiptare, Evropa Lindore e ka bërë të vetën", shkruante "La Stampa". Dhe në Greqi nuk janë më pak. Alarmi i madh ra në dhjetor 2004: në atë rast dyshimet ishin për një ndeshje grupi në Kupën UEFA, Panionios (Greqi)-Dinamo Tiblisi (Gjeorgji). Pjesa e parë 1-0, rezultati final 5-2. Një thes me para ishte hedhur për mbi kombinimin e dyfishtë. Dhe si të harrojmë Egaleon e pronarit Thomas Mitropoulos, me nofkën xha Tomi. Në verën e 2003-shit ishin hedhur shuma të majme për sfidën kundër sllovenëve të Koper (përfundoi 2-2), ndërsa dy vite më vonë dhuron shumë para humbja brenda (1-3) kundër Zalgiris Kaunas (Lituani). UEFA ka nisur kundërsulmin, shpjegon Peter Limaher, shefi i Shërbimit Disiplinor: "Rezultatet? Shumë të mira, sikurse demonstron rasti i Pobedas. Pastaj është natyrale që në fazën e hetimit kemi nevojë për mbështetjen e autoriteteve lokale". Një vit më parë u fol për 26 ndeshje nën hetim, më pas numri u rrit: "Po hetojmë edhe disa ndeshje të verës së shkuar". Dyshime ka edhe për ndeshjet e kombëtareve. "Vetëm zhurmë për disa ndeshje, por asgjë substanciale". Për sa u përket skuadrave shqiptare, ndeshje të dyshuara janë Dinamo-Brondbi 0-4, Dinamo-Lokeren 0-4, Vllaznia-Dandi 0-2, Ekranas-Elbasani 3-0, Bezhanija-Besa 2-2, Besa-Liteks Loveç 0-3, Slaven Belupo-Teuta 6-2, Vllaznia-NK Zagreb.