Tani të gjithë e kuptojnë më mirë buzëqeshjen dhe gëzimin e Jozef Blaterit në shkallët e avionit që po e çonte në Zvicër. I fuqishmi, dhe shumë shpesh në qendër të kritikave, kreu i FIFA-s, më në fund mund të merrte frymë lehtësisht. Më e keqja kishte kaluar. Drejtuesit e Komitetit Organizativ i kishin ofruar garanci bindëse se Botërori i Futbollit të 2010-ës do të bëhet dhe Afrika e Jugut është gati. Paratë nuk mungojnë, 9 nga dhjetë stadiumet e programuar do të përfundojnë në kohë, ndërsa shoqëritë shumëkombëshe të futbollit kanë firmosur kontratat e sponsorizimit. Një biznes prej 3.2 miliardë dollarësh, pak më shumë se ai në Gjermani- që kishte arritur në kuotën e 2.8 miliardëve -dhe një fluks tifozësh e turistësh prej 400 mijë personash. Një provë e vështirë, por edhe një spektakël që do të garantojë argëtim, surpriza dhe mbi të gjitha një bast të fituar. Sepse në fillim të gjithë u habitën nga propozimi guximtar me domethënie politike dhe sociale për të zhvilluar në Afrikë evenimentin më të rëndësishëm të futbollit ndërkombëtar, pikërisht këtu, në kontinentin nga dalin atletët më të mirë dhe ku ofrohet futbolli më i bukur. Në një vend të hemisferës jugore, plot 32 vjet pas Argjentinës. I përndjekur vazhdimisht nga dyshimet që flisnin për një plan rezervë, Jozef Blater u ul në aeroportin e Johanesburgut 14 shtatorin e kaluar. Atmosfera nuk është e qetë. Prej javësh ishin shtuar polemikat mbi zgjedhjen për t‘ia besuar Afrikës së Jugut organizimin e Botërorit të 2010-ës. Nga dhjetë impiantet e parashikuar në masterplanin e nënshkruar nga Komiteti Organizativ, menjëherë pas 15 majit të 2004-ës, kur kandidatura e Afrikës së Jugut triumfoi ndaj asaj të Egjiptit dhe Marokut, nëntë do të mund të ndërtohen në kohë. I dhjeti, ai i "Porth Elisabeth", në brigjet e Oqeanit Indian, do të jetë në dyshim deri në momentin e fundit. Por, të tjerët, dy në Johanesburg, një në Pretoria, një në Bloemfontein, një në Kejptaun, një në Durban, një në Nelsprit, një në Polokwana si dhe një në Rustenburg, janë në një fazë të kënaqshme. Presidenti i FIFA-s kërkonte të verifikonte gjithçka, sepse këtu bëhet fjalë për imazhin, për reputacionin e tij. Prej muajsh qarkullojnë zëra se nëse gjërat nuk përfundojnë brenda afateve në Afrikën e Jugut, atëherë duhet parë për një tjetër vend organizator, sepse Botërori është një biznes të cilin askush nuk do ta refuzonte, sepse përballë një shume kaq të madhe lekësh nuk mund të ndalet asnjë. FIFA punon edhe me një plan B dhe kandidatja ideale mbetet Gjermania. Vetë Blater, në fund të 2006-ës, e kishte falënderuar Berlinin për një organizim perfekt të Botërorit. Blater bashkë me stafin e tij u mbyll në zyrat e komitetit organizator të Johanesburgut. Lexoi raportet, pa llogaritë dhe ekzaminoi me kujdes stadin e avancimit të punimeve. Pastaj shkoi në "Soccer City", në stadiumin e ndërtuar vetëm dy hapa larg nga Soweto. Mbeti i entuziazmuar dhe e përshkroi me fjalët: "Është si një tempull". Këtu bëri dhe deklaratën e parë publike: "Është i madh, i bukur, i jashtëzakonshëm, të kujton atë të Berlinit". Ky stadium mund të mbajnë 94700 spektatorë dhe këtu është vendosur të luhet finalja e madhe. Përshtypjet janë pozitive, ndaj dhe Blater merr më shumë zemër. Edhe Sibongie Mazibuko, koordinatori i Johanesburg 2010, duke se është prekur nga optimizmi i kreut të FIFA-s. "Strukturat qendrore kanë përfunduar në masën 90 për qind, ndërsa çatia është vendosur të bëhet pak më vonë", thotë. Vizita vazhdoi me më shumë entuziazëm në "Coca Cola Park", që të gjithë e njohin si "Ellis Stadium", i dyti që po ndërtohet në Johanesburg dhe praktikisht drejt fundit. Mungojnë vetëm disa detaje të jashtme: hyrjet e reja, parkimet, pemët. Në katër ditë qëndrimi i duhet të kontrollojë gjithçka në Pretoria, Bloemfontein, Durban, Kejptaun. Jozef Blater shkon sërish në Johanesburg. Duket fitimtar, edhe pse kostoja e punimeve është rritur me 33 për qind për shkak të naftës dhe çelikut. Duhen 384 milionë dollarë më shumë se sa ishin parashikuar. A do mund t‘ia dalë dot mbanë ky vend? Kreu i FIFA-s më në fund mund të hedhë poshtë të gjithë zërat dashakeqë, sepse "Plani A" dhe "Plani B" quhen Afrika e Jugut. Edhe pse ka ende kohë, duhen edhe 19 muaj për evenimentin gjigand, gjithçka është në rrugë të mbarë. Prova e parë do të jetë Kupa e Konfederatave, që do të zhvillohet në qershorin e vitit tjetër. Megjithatë, problemet nuk mungojnë, ku dy janë më shqetësuesit për momentin: transporti dhe kombëtarja e futbollit afrikano-jugor. Linja hekurudhore e Gautengut, që do të lidhë aeroportin e Johanesburgut me Sandton City, distriktin financiar ku do të ndërtohen hotelet luksoze, është me shumë vonesë. Dhjetëra kilometra në mes të qytetit u prishën për shkak të një shembjeje para disa muajsh. Të mendosh se do të mbarojnë për në 2010-ën është e pamundur. Por edhe për këtë zgjidhja është menduar. Transportet do t‘u besohen taksive private, furgonave dhe autobusëve. Edhe parku do të rinovohet. Qeveria ka akorduar një milion dollarë dhe ka miratuar një ligj që i detyron të gjitha kompanitë private të modernizojnë mjetet e transportit. Dy milionë të tjera do të përdoren për të rregulluar rrugë dhe autostrada. Ajo që e shqetëson më shumë Sep Blaterin dhe që e bën të inatoset me drejtuesit lokalë të federatës është gjendja e Kombëtares. Në 16 vitet e krijimit të saj, Bafana Bafana ka ndërruar 15 trajnerë. Dihet që sporti më i preferuar në vend është regbi, por Botërori është një rast i veçantë. I fundit që mori drejtimin e saj ishte Carlos Albetro Perriera, fituesi i Kupës së Botës në 1994-ën me Brazilin, i cili arriti rezultate të pabesueshme. Por edhe ai u largua pas gjashtë muajsh për probleme familjare. Vendin e tij e zuri Joel Santana. Edhe ai brazilian, por që nuk ka luajtur kurrë futboll dhe nuk flet anglisht. Me skuadrën nuk kuptohet, por mbi të gjitha nuk merr vesh nga futbolli afrikan. Për këtë arsye, Blater u tregua shumë i ashpër me presidentin e federatës afrikane të futbollit: "Nëse eliminoheni që në turin e parë, atëherë për ju është fundi. Askush nuk do të vijë më në stadium. Nxitoni! Stërvituni dhe mbusheni vendin dhe gjithë botën me reklama e tabela". Gjithçka është menduar deri në detaj. Maskoti do të jetë një luan me jele jeshile, që do të quhet "Zakumi", ku "za" është shkurtimi i Afrikës së Jugut në gjuhën vendase dhe "Kumi" do të thotë dhjetë, për 2010-ën. 20 mijë punëtorëve që merren me punimet do t‘u dhurohen nga dy bileta të turit të dytë. Për gjithë të tjerat do të mendojnë 30 mijë policët, helikopterët, makinat e blinduara dhe grupet speciale. Huliganët, thotë me ironi një gazetar i "Sunday Times", janë si qengja në krahasim me gangsterët që përballemi çdo ditë. Dhuna mund të shpërthejë mes emigrantëve klandestinë. Urrejtjet raciste janë akoma të pranishme. Pa Afrikën e Jugut do të mbeteshin në garë Kameruni, Nigeria, Gana, të mbështetura nga miliona klandestinë, por edhe nga grupet kriminale që zënë lagje të tëra të Johanesburgut. Kështu, rreziku për rregullin publik do të ishte shumë i lartë. Por, ky është një problem që Blater ia ka besuar parisë së vendit. Në skaletën e avionit që do ta çojë në shtëpi i përshëndet të gjithë me dorë, ish-presidentin Mbeki, kundërshtarin Zuma dhe presidentin e ri Motlanthe. Pa harruar mikun e tij të vjetër, Nelson Mandela. Largohet i qetë, por më tepër duket fitimtar, sepse Afrika e Jugut është gati: mungon vetëm pak për të thënë se ka fituar bastin.