Profesoreshat e muzikës Seniha Spahiu dhe Sevime Gjinali janë laureate të Çmimit për vepër Jetësore për muzikë "Niketë Dardani" për vitin 2015 ndërsa Çmimi për Vepër Jetësore në fushën e kinematografisë "Bekim Fehmiu" i është caktuar aktorit Bislim Muçaj.
Kurse për çmimet vjetore në fushën e muzikës janë nderuar veprat e kompozitorëve Dafina Zeqiri- Nushi për "Fantazia e Fuga" për duo pianistik, Mendi Mengjiqi për "Suitë shqiptare për orkestër harqesh", Kreshnik Aliçkaj për "Koncert për violinë e piano e orkestër" si dhe Drinor Zymberi për "Cantata Metamorphosis" për solistë, kor e orkestër.
Ndërkaq, çmimi vjetor për kinematografi i ka takuar producentit filmit "Shok", Eshref Durmishit.
Juritë profesionale për çmimet për Vepër Jetësore në fushat e muzikës "Niketë Dardani" ka qenë në përbërje të akademik Zeqirja Ballata, kompozitorit Valton Beqiri dhe Baki Jasharit, kompozitor dhe dirigjent.
Ndërsa juria profesionale që ka vlerësuar çmimet për Vepër Jetësore "Bekim Fehmiu" për kinematografi dhe çmimet vjetore ka qenë në përbërje të aktorit Xhevat Qorraj, regjisorit Isa Qosja, kameramanit Menduh Nushi, aktores Igballe Qena dhe dramaturgut Jahi Jahiu.
Çmimet e muzikës jepen më 8 qershor në një solemnitet në MKRS, ndërsa çmimet nga fusha e kinematografisë më 10 qershor.