Valon Behrami e ka nisur në mënyrë impresionuese eksperiencën me Napolin. Mesfushori kosovar ka bërë lojë të pëlqyer ndaj ekipit gjerman Bayer Leverkusen në stadiumin San Paolo dhe kjo nuk ka mbetur pa i rënë në sy tifozëve napolitanë.

“Kjo ishte mjaft e mirë. E mendonim edhe më herët, por tash na u forcua bindja jonë. Paraqitja e tij na riktheu kujtesën, kur që nga afati kalimtar kemi shkruar: Napoli, merre Behramin. Presidenti e bleu për fatin tonë”, ka shkruar ueb faqja spazionapoli.it.

Behrami nuk impresionoi vetëm me teknikën e tij në lojën e parë me Napolin, por u dallua edhe për përshtatjen në skemën taktike të ekipit Azzurr. Me Cristian Maggion u përshtat mjaft mirë, dukej se po luanin bashkë një jetë, ndërsa përfaqësuesi zviceran është aty prej më pak se një muaji.

“Aq shumë vrapim pa u ndalur kurrë, gjithmonë një presion inteligjent, me një zemër të madhe. Valon, Napoli qysh tash ta do të mirën. Nuk mund të ishte ndryshe, mos ta harrojmë se Napoli i do lojtarët që në fushë e lënë zemrën”, përfundon shkrimi në ueb faqen italiane.