Valon Behrami e ka gjetur rehatinë menjëherë në Napoli. Mesfushori kosovar ndihet si në shtëpi në ekipin napolitan dhe në qytetin e tifozëve të flaktë të futbollit.

27 vjeçari iu bashkua ekipit në San Paolo gjatë kësaj vere nga Fiorentina dhe ai nuk është aspak pishman që e bëri këtë zgjedhje, që e konsideroi të rëndësishme për karrierën e tij. “E dija se këtu do të përshtatesha mjaft mirë”, theksoi përfaqësuesi zviceran, i ftuar në një piceri napolitane ku ka nënshkruar autografe.

Ndërkohë, trajneri Walter Mazzarri e ka konfirmuar besimin që ka për ish futbollistin e Veronës, Lazios, West Hamit dhe së fundmi Fiorentinës. “Do ta fillojmë sezonin me optimizëm. Kam besim në skuadrën time, në Behramin dhe në të gjithë ata që kanë ardhur këtu gjatë verës”, ka thënë trajneri italian. Napoli e ka nisur sezonin të dielën mbrëma me ndeshje ndaj Palermos së Samir Ujkanit dhe Agon Mehmedit.