Ish-Sekretari i Shtetit, Xhejms Bejker


Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker, (James A. Baker III), analizon zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës në një artikull të bërë në revistën prestigjioze “Foreign Policy”. Në këtë shkrim, ish-kreu i Diplomacisë amerikane, i cili vizitoi Shqipërinë në vitin 1991, flet për procesin duke u shprehur se palët duhet të dalin mbi interesat e tyre dhe të pranojnë vendimin e Gjykatës.


Bejker ka qenë këshilltari ligjor i ish-Presidentit Xhorxh Bush në zgjedhjet e vitit 2000, ku ai fitoi mandatin në Gjykatën Supreme, e në këtë pikë, Bejker flet për ngjashmërinë dhe përgjegjësitë e të dyja rasteve. Më poshtë, shkrimi i plotë.


Përpara 20 vitesh, pavarësisht shqetësimeve për detajet e sigurisë, u ngjita në një platformë në sheshin qendror të Tiranës në Shqipëri, për t’iu drejtuar një turme euforike prej 300 mijë personash. Dhjetëra mijëra të tjerë kishin zënë rrugët nga udhëtimi im prej aeroportit deri në këtë shesh. Në cilësinë e zyrtarit të parë të lartë amerikan që vizitonte këtë vend në fund të regjimit komunist 50-vjeçar, mesazhi ishte shumë i thjeshtë: ‘Liria funksionon, – thashë, – për aq kohë sa ju jeni të lirë të mendoni atë që dëshironi dhe jeni të lirë të zgjidhni liderët tuaj’.

Sot unë kam reflektuar rreth asaj vizite dhe kam rikonsideruar admirimin e qytetarëve të Shqipërisë dhe besoj se duhet të kisha shtuar edhe një mesazh tjetër. ‘Po, liria funksionon, por ajo punon më mirë kur qytetarët respektojnë shtetin ligjor dhe garantojnë bazën ligjore për një demokraci të konsoliduar’.

Kjo është e rëndësishme për të kujtuar se bllokimi i tejzgjatur politik aktual e rrezikon perspektivën e mëtejshme të vendit për integrimin europian dhe global. Teksa Shqipëria u anëtarësua në NATO në vitin 2009 dhe është duke shpresuar të konsiderohet si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, procesi po dëmtohet nga raportimet e shumta për mosfunksionimin e sistemit politik.

Shembulli më i fundit i këtij bllokimi ishin zgjedhjet e 8 majit për Bashkinë e Tiranës. Dy kandidatët që përfaqësojnë dy partitë kryesore janë ndër figurat kryesore politike. Gara përplasi Lulzim Bashën, ish-ministër i Jashtëm i Partisë Demokratike përballë Edi Ramës, kreut të socialistëve dhe të opozitës. Me 250 mijë vota të hedhura, Rama pohoi se udhëhiqte garën me 10 vota, ndërsa Basha pohon se kryeson me 81 vota. Fituesi mbetet ende kohë të deklarohet zyrtarisht dhe gjyqtarët do të ballafaqojnë argumentet mbi fletët që duheshin numëruar dhe ato që duheshin përjashtuar. Mosmarrëveshja vjen në linjën e turbullirës politike në të cilën ishte Shqipëria që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, ku socialistët zbritën në rrugë me demonstrata për të denoncuar ato çka i konsideruar si parregullsi në votim.

Pa dyshim që unë jam familjarizuar me zgjedhje të tilla. Në vitin 2000, unë drejtoja skuadrën ligjore të Xhorxh W. Bushit në Florida gjatë rinumërimit të votave atje. Ai rinumërim do të përcaktonte Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. Thuajse 6 milionë vota u numëruan në Florida. Para nisjes së numërimit, kandidatët ndaheshin nga njëri-tjetri me 300 vota.

Eksperienca ime në këtë rinumërim në Florida më dha disa leksione, të cilat janë të vlefshme dhe të aplikueshme edhe për situatën në Shqipëri në ditët e sotme.

Kur marzhi i ndarjes mes dy kandidatëve është shumë i ngushtë, atëherë mund të ketë një pafundësi argumentesh rreth asaj se si janë numëruar vota të veçanta. Numërimi i votave është një art më shumë se sa një shkencë dhe kur zgjedhjet janë kaq pranë, çdo fletë votimi ndikon te rezultati, ndaj gjykimi njerëzor ka një influencë të madhe në proces.

Në një situatë të tillë, secila palë mundet që të paraqesë argumente konstruktive se si votat duhet të numërohen në mënyrën që t’i lejojë të fitojnë. Duke dëshiruar fitoren, pa dyshim, secila palë beson mbi argumentet e saj dhe vetëm të sajat si të drejtat. Nëse argumentet e tyre nuk pranohen, atëherë shkohet drejt pretendimeve se zgjedhjet janë vjedhur.

Në rast se votat ndahen kaq ngushtësisht, duhet sugjeruar që të dyja palët të negociojnë një zgjidhje, e cila të sheshojë diferencat përmes dialogut. Nuk pati mundësi dialogu për zgjidhje mes Xhorxh W. Bushit dhe Al Gorit në Florida, në vitin 2000, pa dyshim as në Tiranë sot. Një kandidat do të fitojë, një do të humbasë.

Mënyra e vetme se si të zgjidhet situata, si ajo e Floridas në vitin 2000 dhe Tiranës sot, është të realizosh një proces të besueshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet bazuar mbi faktet dhe ligjin duke deklaruar fituesin. Kandidati humbës duhet të përgatitet për të njohur rezultatin e procesit.

Në rastin e zgjedhjeve në Florida ne kishim Gjykatën amerikane Supreme. Roli i saj ishte të dëgjonte argumentet e secilës palë dhe të jepte një vendim që do të linte të pakënaqur njërin prej kandidatëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin me fat që te Gore dhe Bush patën dy kandidatë, të cilët ishin të përgatitur të vendosnin interesat e vendit mbi ambicien personale.

Si përfundim, nga ajo që të gjithë ne e dimë tanimë, Gjykata Supreme vendosi në favor të Bushit. Gore mund të mos e pranonte këtë vendim dhe ta fuste qeverinë e Amerikës në kaos. Por ai nuk e bëri. Në fakt, Gore mbajti një fjalim që ishte një model për këtë rast. Pa dyshim, jam i bindur se Bushi do të bënte të njëjtën gjë nëse Gjykata do të vendoste kundër tij. Që të dy e kuptuan se historia do t’i gjykonte shumë ashpër nëse do të vendosnin interesat personale mbi interesat e qytetarëve të Amerikës.

Në përfundim, sistemi në Amerikë funksionoi. Po, ishin zgjedhje të ngushta, me shumë emocione nga të dyja palët. Por nuk kishte tanke në rrugë, vetëm disa protesta paqësore. Rezultati? Amerika edhe njëherë dëshmoi një ndërrim paqësor të pushtetit.

Shqipëria është me fat që ka një bazë ligjore të ngjashme, ka Kolegjin Zgjedhor që dëgjon apelimet e bëra ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vendos për zgjidhjen. Kolegji Zgjedhor në Shqipëri është i përbërë nga tetë anëtarë të zgjedhur nga shumë gjyqtarë të tjerë të vendit. Gjyqtarët e zgjedhur janë emëruar në kohë të ndryshme nga qeveri të të dyja palëve.

Më 27 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli se Basha fitoi me 93 vota, ndërsa socialistët po e apelojnë në Kolegjin Zgjedhor për herë të tretë Tiranën. Teksa opozita mund të mos jetë asnjëherë plotësisht e kënaqur me rezultatin, ashtu sikurse shumë demokratë në SHBA ende shprehin frustrim për mënyrën se si fitoi Bushi në vitin 2000, ajo çka mbetet për t’u parë është nëse ajo do ta pranojë vendimin e marrë nga Kolegji Zgjedhor.

Duke kujtuar ngazëllimin për liri dhe demokraci që pashë 20 vite më parë, jam i bindur se ky është lloji i lidershipit që shqiptarët duan dhe meritojnë.


 


Xhejms Bejker


Bejker, ish-sekretari që u prit nga qindra mijë shqiptarë në ’91


Xhejms Bejker është një politikan karriere nga radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kulmi i karrierës së tij ishte në vitet 1989-1992, kur ai shërbeu si sekretar i Shtetit në administratën e Presidentit Xhorxh Bush. Bejker do të bëhej zyrtari i parë amerikan i këtij niveli që do të vizitonte Shqipërinë në qershor të vitit 1991, ku përpara qindra mijëra qytetarëve shqiptarë ai mbajti një fjalim në sheshin “Skënderbej”. Ai do ta vizitonte edhe më vonë Shqipërinë, por jo më si sekretar Shteti. Bejker njihet edhe si një mik i familjes Bush. Ai do të ishte përfaqësuesi ligjor i Xhorxh Bushit në vitin 2000 në Florida, pikërisht në shtetit që vendosi fitoren e Bushit përballë Al Gorit. Kjo garë, e cila përfundoi në Gjykatën Supreme të SHBA, u ndoq nga afër nga Bejker. Ai, në karrierën politike ka shërbyer edhe si shef kabineti i Presidentit Ronald Regan, më pas, nga vitet 1985-1988 do të shërbente edhe si sekretar i Thesarit në administratën e Reganit. Sot Bejker drejton një institut për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Hjustonit në Teksas.