Besimtarët bektashianë kremtojnë sot, ditëlindjen e Imam Aliut, të njohur si Dita e Nevruzit. Festa e Nevruzit sipas bekatshinjve shënon fillimin e vitit të ri. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.


Me rastin e kësaj feste në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane zhvillohet ceremonia tradicionale fetare ku Kreu i Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj uron të gjithë besimtarët me rastin e Sulltan Nevruzit.


Mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane do të vizitohen edhe nga krerët e shtetit dhe politikës për të ndarë urimet e rastit.


Kjo ditë cilësohet në mbarë botën ku ka besimtarë bektashinj si dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, edhe pemët, edhe lulet, në këtë ditë lind shpresa, ringjallja për njerëzimin që shpreson për një të ardhme më të mirë.


Në Shqipëri Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, është dekretuar si festë kombëtare 16 vite më parë. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.


Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë Luftës për Çlirim.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)