Belle Air Europe ka shtuar kapacitetin e flotës për të bërë të mundur fluturimin e pasagjerëve te tij.Gjatë verës 2013 qytetarët Kosovarë kanë zgjedhur vendlindjen për të kaluar pushimet e tyre verore, duke zgjedhur Belle Air Europe si transportuesin e tyre.
Por cila është kompania ajrore Belle Air Europe?
Kompania ajrore Belle Air Europe, një investim europian në Republikën e Kosovës, operon në tregun e Kosovës që prej vitit 2009. Misioni i saj është krijimi i linjave ajrore të rregullta ndërmjet Kosovës dhe Europës, duke ofruar më shumë mundësi udhëtimi për të gjitha grupet shoqërore. Ky investim është më i madhi i bërë deri tani në fushën e industrisë së aviacionit në Kosovë. Vetëm në vitin 2013 ky investim arriti në vlerën e 60 milionë EUR, ndërsa në vitin 2014 parashikohet të kapë vlerën e 100 milionë EUR.
Aktualisht, Belle Air Europe operon me fluturime të rregullta nga Aeroporti i Prishtinës drejt 12 destinacioneve të ndryshme: Milano, Verona, Venezia në Itali, Dusseldorf, Hannover, Munich, Stuttgart në Gjermani, Bruksel, Malmo, Mulhouse. Destinacionet e Zurich dhe Geneve operohen nga Belle Air Europe nënkontraktuar nga kompania ajrore Darwin Airlines në Zvicër dhe operatori turistik Always Travel & Tours në Kosovë. Për të realizuar këtë aktivitet në Kosovë janë punësuar 78 punonjës, pa përfshirë stafin e kabinës, ndërsa në vitin 2014 parashikohet të arrijë në 178, duke punësuar edhe 100 punonjës të rinj.
Numri i pasagjerëve të transportuar nga fillimi i aktivitetit deri në fund të muajit Korrik 2013 nga kompania Belle Air Europe është mbi 600,000 pasagjerë, duke konkurruar suksesshëm operimin kaotik të charter-ave të disa prej agjensioneve turistike në këtë treg, me çmime më ekonomike dhe me më shumë fluturime në ditë, me avionë të gjeneratës më të fundit Airbus A319 e A320.
Rritja e numrit të pasagjerëve në këtë verë ka imponuar shtimin e numrit të fluturimeve, për të përballuar këtë kërkesë. Ky fluks është rritur relativisht, duke sjellë me vete edhe disa problematika. Një prej tyre, të hasura më shpesh, është rezervimi i biletave me afat pagese (time-limit) 24 orë. Moskryerja e pagesës së biletës brenda këtij afati sjell anulimin automatik të këtij rezervimi nga sistemi. Si pasojë e këtij anulimi automatik, pasagjerët përballen në aeroport me pamundësinë për të fluturuar. Në çdo rast, kompania përpiqet të riaktivizojë rezervimin origjinal brenda mundësive (nëse në avion ka kapacitet vendesh të lira) ose të ofrojë fluturime alternative për të arritur në destinacionin e tyre final, në përputhje me legjislacionin në fuqi të mbrojtjes së pasagjerëve EC REG 261/2004.
Gjithashtu, të gjitha rezervimet e pasagjerëve të pajisur me voucher udhëtimi nga agjensionet turistike, të cilat aktualisht janë debitorë ndaj kompanisë, kanë status pezull (pending) deri në kryerjen e pagesës nga ana e agjensionit. Moskyrerja ne kohë e kësaj pagese nga ana e agjensionit përkatës, sjell pavlefshmërine e biletës për udhëtim. Në një situatë të tillë, të gjithë pasagjerëve me biletë në status pending, ju është rekomanduar të aplikojnë për rimbursim tek agjensioni dhe të rezervojnë një biletë të re pranë kompanisë Belle Air Europe.
Në kuadër të mirëinformimit të publikut të gjerë, pavarësisht problematikave të përmendura më lart, Belle Air Europe vazhdon të operojë programin e fluturimeve ditore mënyrë të rregullt, duke ofruar këtë mënyrë transporti si një alternativë udhëtimi e arritshme nga të gjithë. Së shpejti, harta e fluturimit të Belle Air Europe zgjerohet me destinacionin më të ri Dortmund, i cili do të fillojë të operohet gjatë sezonit dimëror.
Për të gjithë klientët e saj, kompania Belle Air Europe ka ngritur struktura moderne e bashkëkohore me qëllim ofrimin afatgjatë të shërbimeve / produkteve me një cilësi e siguri të standardave më të larta, kudo ku operon./Indeksonline/