Shprehja i mbyturi të mbyt mund të jetë përshkrimi ideal i asaj që ndodhi sonte në San Siro, me Beneventon që pasi ra matematikisht në Serinë B, surprizoi Milanin ,duke e mposhtur me rezultatin 0-1.


Ka mjaftuar një gol i Iemmellos në pjesën e parë, për skuadrën e de Zerbit, ndërsa më pas portieri Puggioni dhe mbrojtja me Berat Gjimshitin në krye, bënë detyrën duke i mohuar kuqezinjve gëzimin e golit dhe duke u larguar me 3 pikë nga Milanoja.


Vlen të përmendet se Benevento luajti me një lojtar më pak nga minuta e 80, pas kartonit të kuq, të marrë nga sulmuesi shtatlartë Diabate. Nga ana tjetër, Milani nuk përfitoi dot nga humbja e Fiorentinës për tu shkëputur në zonën që të çon në Europa League, teksa tashmë rrezikon të parakalohet nga Atalanta e Sampdoria, që luajnë nesër ndeshjen e tyre.


Kjo ishte ndeshja e 6 radhazi për Milanin e Gattusos, që nuk arrin te fitorja, ndërsa humbja ndaj Beneventos e bën edhe më të madh zhgënjimin, gjë që u reflektua në minutat shtesë, ku kuqezinjtë u konfrontuan edhe fizikisht me lojtarët kundërshtarë.


21 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)