Benfica në telashe serioze. Stuhia gjyqësore që ka nisur prej më shumë se një muaji në Portugali në të cilën po gjykohet klubi legjendar i Benficës, ka një kapitull të ri që mund të rrëzojë në pikën zero shqiponjat e Lisbonës. Sipas shtypit lokal drejtuesit e Benficës kanë bërë një tjetër shkelje shumë të rëndë për të përfituar favorizime nga arbitrat, pasi përveç ryshfeteve u kanë ofruar gjyqtarëve edhe prostituta si shpërblim duke u paguar edhe dhomat e hotelit.


Në rastin e njohur ndryshe si E-Toupeira klubi i Benficës akuzohet për një sërë shkeljesh si ryshfete aktive dhe pasive, favorizime personale e deri tek informacioni i rremë e shkelja e sekretit të drejtësisë. Sipas gazetës O Jornal Economico që përcjell informacionet e hakerit portugez Rui Pinto në një artikull të titulluar Merkato e Benficës, kanë dalë në dritë disa e-maile që tregojnë tentativat e korrupsionit nga drejtuesit e klubit ndaj arbitrave.


Benfica u është përgjigj me tone të ashpra këtyre akuzave nëpërmjet kanalit zyrtar të klubit duke i cilësuar të pabaza dhe ta pavërteta. Shqiponjat e Lisbonës nënvizojnë gjithashtu se do të bëjnë gjithçka për të hedhur poshtë këto akuza dhe për tu treguar të gjithëve se janë të pafajshëm. Procesi gjyqësor ndaj Benficës vazhdon prej më shumë se një muaji dhe po gjykohet nga Prokuroria e Republikës Portugeze. Nëse këto akuza rezultojnë të jenë të vërteta Benfica rrezikon të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet futbollistik për një periudhë nga 6 muaj deri 3 vjet.


22 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)