E vetmja fituese e edicionit të katërt të “Big Brother”, për Stefan Karafilin, është e bija e tij, Neda. Ai është plotësisht i kënaqur nga qëndrimi i vajzës së tij në shtëpi dhe pohon se ajo ka treguar të njëjtën sjellje, si edhe jashtë ekranit. “Ka lindur për të qenë lidere”, rrëfen gjatë bisedës që patëm pranë shtëpisë së Nedës, në Laprakë, ku familja Karafili jeton, pas shpërnguljes nga qyteti i vogël i Kavajës. Prindërit e Nedës jetojnë me të ardhura modeste dhe nuk pretendojnë se jeta e tyre do të ndryshojë, nëse Neda do të fitojë 100 milionët. Ato do të shërbejnë për shkollimin e Nedës dhe motrës së saj, motiv ky që bëri që ata të vendosnin për të jetuar edhe në Tiranë. Po si e sheh marrëdhënien e dashurisë të së bijës Stefani? Cili është opinioni i tij për Ogrenin? Cilat janë pikëtakimet e tij me familjen Balluku dhe saktësisht me ish-ministrin e Mbrojtjes, Beqir Balluku? Le ta zbulojmë së bashku, në intervistën e mëposhtme!


Zoti Karafili,si ju duket vajza juaj Neda në shtëpinë e Big Brother?


Neda thjesht ka ndërruar shtëpi. Si në shtëpinë e vet është edhe në shtëpinë tjetër, në këtë show që bën kanali më prestigjioz, siç është Top Channel, të cilët i falënderoj.


Në marrëdhëniet me banorët, mendoni se Neda ka reaguar mirë gjithmonë?


Paçka se marrëdhëniet kohët e fundit kanë ndryshuar disi, për efekt edhe të lojës, unë Princeshën (siç e thërras) e shoh shumë mirë! Nuk është egoiste, të merret me thashetheme ose t’i shkelë në kallo dikujt tjetër. Neda është ajo Nedë që ka hyrë në lojë për një qëllim, për atë që është caktuar aty.


Po marrëdhënien e saj me Ogrenin, si e keni përjetuar ju si prind?


Nuk kam pse ta paragjykoj Nedën në marrëdhënie me Ogrenin. Unë nuk dal kundër ndjenjave dhe dëshirës së Nedës. Neda është një vajzë e mençur, një vajzë e rritur, di si vepron, di çfarë bën. Kur të dalë jashtë do të bisedoj me të dhe Neda do ta ketë përkrahjen time gjithmonë.


Cila është përshtypja juaj për Ogrenin?


Shoh një djalë të edukuar. Një djalë për të cilin familja është përkujdesur, spikat mbi të tjerët për nga pastërtia, nga rregulli, e folura, mirësjellja, edhe kur sipas lojës që bëjnë të tjerët Ogreni reagon me qetësi dhe gjakftohtësi.


Ka pasur komente se ka pasur një marrëdhënie seksuale mes Nedës dhe Ogrenit…


Nuk dua të paragjykoj ata që i shkruajnë këto gjëra, por nuk është Neda që bën këto. Unë nuk e besoj kurrë se Neda ka shkuar deri aty. Ka kohë kur të dalë përjashta. Që ditën që ka hyrë Neda, ne e kemi ndjekur gjithë kohës, 24 orë, dhe nuk kemi parë një veprim të tillë. Pavarësisht kësaj, nuk e besoj kurrë këtë gjë që thonë.


Ndërkohë ka një koincidencë, pasi ju keni pasur një njohje dikur me gjyshin e Ogrenit?


Ndoshta është një koincidencë. Unë kam lindur 10 vjet mbasi është çliruar Shqipëria. Kur isha ushtar në Kuçovë, regjimenti u mblodh, u rreshtua dhe për fat erdhi ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Unë kam qenë i urtë dhe ushtar i mirë dhe pata fatin që Beqir Balluku të më vinte stemën si Ushtar Shembullor. Edhe një tjetër koincidencë, djali im i hallës ka qenë pjesë e eskortës së ministrit Balluku.


Është komentuar ky fakt, Neda demokrate dhe Ogreni me një prejardhje komuniste. E shihni si një problem këtë? Ju shqetësojnë ndasitë partiake?


Unë te Neda shoh atë që po përgatitet një politikane e ardhshme, një kryeministre a një Presidente e ardhshme për Shqipërinë. Neda e pëlqen politikën dhe nëse Neda do të arrijë nesër në krye, Neda do të jetë në partinë e gjithë shqiptarëve, që do t’i bashkojë gjithë forcat politike, sepse nuk është për kundërshti. Neda është që shqiptarët të jenë mirë e të integruar dhe do që shqiptarët të jenë si të gjithë në botë.


E shihni Nedën si fituese?


Kjo është pyetje … Neda gjithmonë ka qenë fituese! Kur ishte e vogël dhe luante në Teatrin e Kukullave në Kavajë, Neda gjithmonë merrte role protagoniste; borëbardha, gjyshja, zogu pushëverdh, etj. Dhe ne, si burrë e grua, i kemi ndjekur fëmijët gjithmonë nga pas. Edhe kur Neda shkoi në gjimnaz u bë senatore, erdhi në Tiranë dhe filloi shkollë tek “Aleks Buda” dhe sërish ngulmoi dhe ishte senatore aty. Do gjithmonë që të jetë lidere, gjë që e tregon edhe në universitet tani. Bagazhi i saj, qetësia, Neda është Nedë.


Nëse ajo fiton, çfarë do të bënit me 100 milionët?


Unë kam punuar pothuajse 42 vjet dhe nuk kemi ndonjë mendim, që i përket anës materiale. Por nëse Neda do të fitojë, - dhe mentaliteti i saj, në krahasim me të tjerët, nuk diskutohet që Neda është fituese, - unë flas si fans, nuk do preken ato para. Neda ka qejf që t’i jap për humanizëm, por ato që mbeten do të jenë për arsimimin e saj dhe motrës tjetër, që është në Akademinë e Arteve.


Megjithatë, sot Neda është në kandidim. Nëse ajo s’kualifikohet, cili do të ishte reagimi juaj… jeni i përgatitur edhe për humbjen e saj?


Neda si të kualifikohet, si të s’kualifikohet, gjë që nuk bën vaki, Neda do vijë në shtëpinë e vet si më parë.


Por ama do të jetë një zhgënjim për ju…


Aspak. Neda dhe po doli fituese del.


E nëse Neda del, kë do të donit të shihnit fitues?


Neda nuk del dhe Neda është fituese! Nuk shoh ndonjë fitues tjetër!,