Në miqësoren me Kombëtaren "B", Milani fitoi në Shqipëri trofeun e vetëm sezonal. "Bamirësi" në sfidën e luksit të luajtur të martën në "Qemal Stafa" ishte Elvin Beqiri, i cili humbi penalltinë e fundit të skuadrës së drejtuar nga Artan Bushati, pas mbylljes në barazim 3-3 të kohës së rregullt. Edhe pse disi i zhgënjyer që nuk arriti të shënonte në rrjetën e gjigantëve italianë, mbrojtësi shkodran gjen rastin të bëjë shaka. "Personalisht jam tifoz i Interit, rivalit të përjetshëm të Milanit. Gjithsesi, mendova t‘ua dhuroj trofeun kuqezinjve, duke qenë se kjo do të ishte kupa e vetme për ta në këtë sezon", deklaroi 28-vjeçari duke qeshur. "Jo për gjë, por me këtë veprim të timin, të paktën përkohësisht, shpëtova të ardhmen e trajnerit Karlo Ançeloti". Gjithsesi, Beqiri e ka një peng, sepse gaboi në ekzekutimin nga pika e bardhë, pikërisht kur kishte shiritin e kapitenit në krah. "Më vjen keq sepse gabova penalltinë decizive dhe mbaja shiritin e kapitenit. Por kjo ishte vetëm një ndeshje miqësore dhe e rëndësishme është që fitoi spektakli, si në fushën e lojës, ashtu edhe në tribuna".



Me 42 prezenca në përfaqësuese dhe një karrierë të pasur në kampionate jashtë Shqipërisë (Rusi, Ukrainë e Izrael), Beqiri ka luajtur përballë shumë yjeve të futbollit ndërkombëtar. Më të fundit janë suedezi Zlatan Ibrahimoviç e portugezi Kristiano Ronaldo, në dy ndeshje ku Shqipëria ka regjistruar barazime pa gola. Megjithatë, këtë herë situata ishte e ndryshme, pasi ndodh shumë rrallë që të luash njëkohësisht kundër kaq shumë yjeve sa ka Milani. Kur pyetet se cilin prej kuqezinjve të Ançelotit do të veçonte, madje nuk do të dëshironte ta kishte përballë si kundërshtar në takime zyrtare, ai ndihet pak në vështirësi. "Luajtëm me një skuadër që në repartin ofensiv ka emra si Kaka, Ronaldinjo, Pato, Inzagi e Shevçenko, por edhe shumë lojtarë të afirmuar në mesfushë si Pirlo, Sedorf e Gatuzo. Është e vështirë të bësh krahasime, pasi të gjithë janë futbollistë të klasit botëror dhe me shumë eksperiencë. Nëse më duhet të veçoj njërin prej tyre do të thosha Pato, që është më i ri dhe më i freskët. Kur fillonte të vraponte shkëputej si raketë…".



Në fund, shkodrani nuk i ka kursyer fjalët e mira për të rinjtë, të cilët u aktivizuan kundër skuadrës që renditet e dyta në Serinë A. Më shumë se të tjerët spikatën Vila (autor i golit të parë të Shqipërisë), Hyka dhe Muzaka, që me daljet e tyre krijuan probleme për mbrojtjen kundërshtare. "Më bëhet qejfi që në përgjithësi të gjithë lojtarët e rinj u paraqitën mirë. Nuk duhet harruar se Hyka e Muzaka, edhe pse jo me vazhdimësi, kanë qenë pjesë e Kombëtares. Uroj që të vazhdojnë kështu, sepse ata do të jenë e ardhmja e skuadrës", përfundoi Beqiri.



Shtypi italian





Ja pse i pëlqejnë Milanit



miqësoret jashtë Italisë





Përfitimet e shumta financiare janë ato që i imponojnë Milanit të luajë shumë miqësore jashtë Italisë. Në këtë përfundim ka arritur gazeta italiane "Il Giornale", e cila konfirmon koston prej 1.7 milionë eurosh të miqësoreve, që Milani ka zhvilluar në Shqipëri kundër Tiranës dhe Kombëtares. Në tetorin e 2008-ës, kur Milani u ndesh me Tiranën, Kryeministri Sali Berisha e përkufizoi si eventin më të madh sportiv në historinë e Shqipërisë, shkruante dje gazeta. Në aeroport kuqezinjve iu rezervua një pritje madhështore nga tifozë të shumtë shqiptarë: foto e autografe të shumta. Të gjithë të qeshur, mbi të gjitha Adriano Galiani, që me këtë rast futi në arkën e Milanit një çek prej 1.5 milionë eurosh (plus 200 mijë euro të tjera, që i Milani i dha për bamirësi). Edhe këtë të martë u përsërit e njëjta procedurë: foto, autografe, buzëqeshje, përqafime dhe një çek i ri prej 1.5 milionë eurosh, që përfundoi në regjistrat financiarë të klubit italian. Shembuj të tillë të ndjekur nga Milani janë të shumtë. Kuqezinjtë bredhin nëpër botë, edhe pse flitet për miqësore, si ato në Hanover, Glasgou e Dubai, vetëm e vetëm për të mbushur arkën".