Protesta e Partisë Socialiste nisur ditën e djeshme dhe që mbajti për dy orë të bllokuara akset kryesore Berat -Fier dhe Berat- Lushnje ka vijuar gjatë ditës së sotme duke u ndalur në Bashkinë e Urës Vajgurore. Dhjetra mjete qëndruan të bllokuara që prej orës 16:00 deri në 16.50, në urën kryesore dhe të vetmen urë lidhëse që lidh Bashkinë e Urës Vajgurore me qytetin e Beratit.

 


Dega e PS-së në këtë qytet që prej paradites së sotme deklaroi zhvillimin e kësaj proteste, por pa deklaruar vendin se ku do të zhvillohej, ç`ka shkaktoi dhe konfuzion ndër radhët e policisë. Komisariati i policisë së qytetit të Beratit mori masa mesditën e sotme duke shpërndarë qindra uniforma blu në kryqëzimin e fshatit Poshnje në hyrje të Beratit, por protesta është zhvilluar në hyrje të Bashkisë së Urës Vajgurore. Protestuesit mbërritën nga qytetet e Kuçovës e Beratit, ndërkohë që në krye të tyre kanë qënë drejtues lokal të degës dhe të Bashkisë së Beratit si dhe deputetët e PS-së në këtë qark Ermonela Felaj dhe Marko Bello.

 


Protestuesit që kanë lëshuar thirrje: " E duam Tiranën me Edi Ramën" kanë bllokuar urën në hyrje të Urës Vajgurore duke krijuar radhë të gjatë të mjeteve, ndonëse, uniformat blu janë përpjekur të mbajnë nën kontroll situatën, nuk kanë mundur të shmangin bllokimin e mjeteve në hyrje të urës. Kjo situatë që ka vazhduar për rreth 50 minuta, është shoqëruar me zemërimin e drejtuesve të mjeteve, ndërkohë që pas përfundimit të saj, uniformat blu kanë vënë nën kontroll situatën e qarkullimit të rënduar rrugor.