22/09/2011  Merr mandatin Petrit Sina, këshilltarët e opozitës bojkot këshillit. Socialistët në kërkim “të tradhtarëve”


BERAT- Zgjidhet Petrit Sina kryetar i qarkut të Beratit. Kandidati i aleancës së djathtë është votuar dje me shumicë kartonësh nga këshilltarët, në një kohë kur e majta ka numrin më të madh të këtyre të fundit.


Zgjedhja


Në orën 10.00 të paradites së djeshme në sallën e bibliotekës “Vexhi Buharaja”, është zhvilluar mbledhja e anëtarëve të Këshillit të Qarkut për zgjedhjen e kreut të ri të qarkut të Berat. Në konstituimin e këtij këshilli ishin të pranishëm 51 këshilltarët përfaqësues e zgjedhur nga votuesit në zgjedhjet 8 majit të këtij viti. Kryetari i bashkisë Fadil Nasufi si këshilltari më i vjetër i këtij këshilli, por dhe si kryetari i bashkisë më të madhe në qarkun e Beratit ka vijuar me procedurat ligjore për zgjedhjen e krerëve të rinj. Pas verifikimit të mandateve të këshilltarëve të pranishëm nga komisioni mandateve, është kaluar në zgjedhjen e komisionit të votimit i përbërë nga dy anëtarë të opozitës dhe një të pozitës dhe pikërisht në grupin e zgjedhur janë këshilltari i koalicionit të opozitës Adriatik Zotaj, Edmond Ymeri, si dhe anëtari i koalicionit të pozitës Nesim Spahiu. Në këtë garë të mbërthyer në sallën e bibliotekës konkurronin “Aleanca për të ardhmen”, Pelivan Shatri, si dhe për “Aleanca për qytetarin” konkurronte Petrit Sina. Pas votimit të fshehtë të 51 anëtarëve të këshilltarëve të qarkut, në numërimin e votave të hedhur në kutinë e votimit, Petrit Sina mori 27 vota kundrejt 24 votave që mori Pelivan Shatri. Pas përpilimit të procesverbalit përfundimtar dhe firmosjes së tij nga kandidati fitues dy kandidatët i dhanë dorën njëri-tjetrit në sy të medies të shkruar dhe asaj vizive. Më pas Fadil Nasufi, i cili vazhdonte të drejtonte këtë takim zgjedhor ia ka lënë fjalën kandidatit fitues që nga ky moment i shpallur nga komisioni votimit fitues Petrit Sinaj.


Bojkoti


Ky ka qenë momenti edhe i bojkotit të këshilltarëve të opozitës, të cilit pasi kanë kërkuar pesë minuta pushim, më pas kanë deklaruar me anë të kreut të grupit të këshilltarëve bojkotin e këshilltarëve të opozitës, duke vazhduar në këtë mënyrë edhe bojkotin në këshillin e pushtetit vendor. Të detyruar nga kjo gjendje këshilltarët e pozitës kanë ndërprerë takimin për të vijuar në ditët më pas zgjedhjen e strukturës që do të drejtojë për 4 vjetët e ardhshëm Këshillin e Qarkut Berat. Të pranishëm në konstituimin e Këshillit të Qarkut të Beratit kanë qenë deputet e Partisë Socialiste Fidel Ylli, Ermonela Felaj, Marko Bello dhe Erion Braçe, ndërsa kanë marrë pjesë edhe deputetët e pozitës kreu i LSI-së, Ilir Meta, si dhe deputetët Genci Pollo, Nasip Naço, Lefter Maliqi, Memet Xheka, si dhe sekretari organizativ i PD-së deputeti Flamur Noga.


Në kërkim të “tradhtarëve”


Menjëherë pas pushimit pesë minuta të kërkuar nga grupi i këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, ka qenë kryetari i këtij grupi, i cli ka hyrë në sallën ku e prisnin këshilltarët e Partisë Demokratike dhe aleatët e koalicionit të saj. Sapo ka hyrë në sallë kreu i këtij grupi të opozitës Shpëtim Vrapi ka deklaruar një bojkot të përkohshëm duke deklaruar se tërhiqet nga zgjedhjet në vazhdim të strukturave të tjera të qarkut, siç janë nënkryetari dhe anëtarët e kryesisë etj. Më pas grupi i këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe aleatët e saj i janë drejtuar selisë rozë në qarkun e Beratit ku kanë provokuar një mbledhje të grupit të këshilltarëve të krerëve socialistë të rretheve, komunave dhe bashkive për të gjetur në këtë mënyrë tradhtarët gjatë votimit të fshehtë. Në këtë takim kanë marrë pjesë të katër deputetët e qarkut të Beratit Braçe, Ylli, Bello dhe Felaj, takim që zgjati dy orë me debate e tone të ashpra. Vlen të përmendet se këshilltarët e opozitës në konstituimin e Këshillit të Qarkut përbënin shumicën, 27 anëtarë këshilli nga 24 që kishte “Aleanca për qytetarin”.


Largimi i këshilltarit


Dy orë pas nisjes së mbledhjes në selinë rozë një këshilltar i PS-së ka deklaruar se do të kalojë me LSI-në. Ndërsa kanë qenë duke zhvilluar takimin me dyer të mbyllura në selinë rozë grupi i këshilltarëve për të gjetur tradhtarët e votimit, një këshilltar i PS-së është shkëputur nga grupi për t’u larguar njëherë e përgjithmonë nga koalicioni opozitar për t’iu bashkuar pozitës. Pikërisht ka qenë këshilltari Shpëtim Alljbeu ai që ka lajmëruar largimin e tij nga opozita për t’iu bashkuar pozitës, madje po dje ky këshilltar ka qëndruar në takimin pas mbledhjes të këtij konstituimi.


Kryetari i ri


Petrit Sino pas falënderimit për zgjedhjen e tij në këtë procedim votimi si kreu i ri i qarkut të Beratit ka deklaruar për median që u bënë thirrje këshilltarëve të opozitës që të zënë vend, pasi sipas tij së bashku më shumë punë i presin dhe i bashkojnë sesa bojkoti i përkohshëm që këta këshilltar zgjodhën kjo për të mirën e 250 000 banorëve të këtij qarku. “Unë them se më shumë detaje na bashkojnë për të punuar me këshilltarët e opozitës ndonëse në numrin e këshilltarëve për të realizuar të gjitha problemet që na cakton ligji i kemi pasi pas ardhjes të Allajbeiut përbëhemi nga 26 këshilltarë”, tha Sina.