Rafizi s'e kupton Gjykatën, Gjykata s'e kupton Rafizin..! Marrim nisje nga bejtet e Rafiz Halitit që ia qet ky Gjykatës kushtetuese, e cila "gjatë kohë është duke bërë politikë ditore, sepse gjithçka që ka të bëjë me të drejtat e shqiptarëve, në këtë gjykatë merren vendime në dëm të Komunitetit Shqiptar". Nga kjo mendje e ngatërruar në të shprehur fjalish marrim të kuptojmë që Gjykata kushtetuese gjatë kohë është duke turbulluar paqen servile të motit 2008 që na ka sjellë kjo çetë dënglamadhe e "lirisë" dhe na shpie bythas në paqen servile të motit 1991. Këtu, në hesap të paqes servile, dalin të ngatërruar në punë dhe në fjalë Gjykata kushtetuese dhe Rafiz Haliti. Gjykata, që lexon si shkruan, thotë që paqja servile e motit 2008 është njësoj me paqen servile të motit 1991, sepse është e njësojshme Kushtetuta e motit 2001 me të motit 1991 dhe e njëshme është dhe
Gjykata. Po, Rafizi qet bejte dhe donë thotë që paqja servile e motit 2008 është më e re dhe, si më e re që është, duhet të jetë dhe më e mira, ndaj edhe ia kanë ngjitur emrin paqe servile në liri, se vetë këta e kanë bërë kështu...!!! Tashti që dihet dhe që del se vetë e kanë bërë kështu, le të rrëkëllehen në këtë baltë e të mos qesin bejte të reja për këtë turp të vjetër që na sollën. Po, ama, gjithë marifeti i tyre qëndron këtu: që të mos rrëkëllehen
në baltë të tyre, po t'ia hedhin fajin Gjykatës dhe të thonë që është Gjykata ajo që na
rrëkëllen në baltë dhe në gropë të saj e të poshtërimit, po që dihet dhe del ashiqare që
është gropë e hapur nga ligjet që na i sollën këta, ligjvënësit e përgjumur dhe të karashtisur të njerëzisë sonë, të cilëve Gjykata ua lexon ligjet ashtu si i kanë shkruar, kurse këta kërkojnë që kjo t'i lexojë ashtu si na kanë mashtruar e që është punë që s' bëhet! Ky Rafizi, nënkryetar i Parlamentit, pra, ky ligjvënës si i thonë në Amerikë dhe gjetkë deputetit, i qet bejte Gjykatës pse nuk njeh gjuhën e njerëzisë sonë për gjuhë të dytë zyrtare, kurse Gjykata ia kthen me fjalë të hedhura larg se nuk shkruan gjëkundi në ligj apo në Kushtetutën e 1991 se gjuha jonë është zyrtare në Gjykatë, që të mos e kuptojë njerëzia jonë se këtë të zezë njerëzisë sonë ia kanë bërë këta që i qesin bejte gjykatës, dhe që është një punë e dijtur qëmoti edhe nga ana jonë.
Berberi i zorrëve që u bë berber i gjuhës/Ne tashi ia themi dhe ia shkapesim faqeza e në ballë ligjvënësit tonë ca të vërteta që mbase nuk i ka dijtur me kohë, po duhet t'i ketë kuptuar më vonë si avazxhi i kryeçetarit të BDI-së dhe ish-komandant që frikohej
nga vdekja, por nuk frikohej nga turpi... Dhe, e vërteta është që fatin e gjuhës sonë, që si i thoshte fjalës Atë Shtjefën Gjeçovi, është Rrnesa Jonë, e kanë prerë keq, për dëm të saj dhe të njerëzisë sonë, që në bisedimet që bëheshin për Marrëveshjen e Ohrisë, kur fati i gjuhës ishte në dorë të berberit të zorrëve, që vjen me thënë, të kirurgut Azis Pollozhani dhe ky berber i zorrëve, si deputet i PPD-së, në emër "të Atyre të Malit", si u thoshin asohere njerëzve rreth kryeçetarit të tashëm të BDI-së, ia preu gjuhën gjuhës sonë dhe e bëri të jetë as zyrtare, as bashkëzyrtare, pak sikështu atje, pak siashtu tutje dhe e la edhe pa emër të shkruhet në Marrëveshje, si "gjuhë e popullatës që e flet popullata që numëron mbi njëzet për qind njerëzi", pasi i përzunë 20 eurodeputetët që erdhën në Ohri asohere dhe thanë që në Marrëveshje duhet shkruar kështu: "Maqedonishtja dhe shqipja janë gjuhë zyrtare". Dhe, është e dijtur se ky berber e hodhi firmën se pranon këtë status-mushkë për gjuhën tonë tinëzaj nga kryetari i asohershëm i PPD-së, Ymer Ymeri, të cilit i rrotullohet mëndja kur mëson këtë dredhi dhe ky berberi mandej, tok me një deputet i quajtur Rizvan Sulejmani, i mbajnë një ligjëratë atij dhe ca të tjerëve pse e kanë bërë
ashtu si e kanë bërë,gjersa një deputet me kuptim të hollë të një juristi, sikundër ishte Abdurrahman Haliti, i thotë këtij berberi të gjuhës, Aziz Pollozhanit: "Ma paska marrë bukën prej juristi, zotëria jote (!), dhe e fishkëllen në heshtje me zemëratë..!?. Më vonë u
kuptua se ky berberi i zorrëve bëri kështu si bëri pasi ishte Rrëzuar në Xhep nga ana e qeverisë së Georgievskit dhe me paratë që mori si berber i gjuhës ngriti një spital në Strugë, që ia kishte zaptuar më parë Shoqatës "Nënë Tereza", kurse nga "këta të malit" që u bënë parti kur prunë paqen servile, për shpërblim të kësaj pune, u bë deputet dhe u bë ministër dhe zananë e të rrëzuarit në xhep e përdori edhe më mirë(!).Dhe, i jap liri tashi
të më hedhë në gjyq për këto që thashë..?! Dhe, tashi që ky berberi i zorrëve që u bë berber i gjuhës sonë, është vënë në Këshillin për kremtimin e 100-vjetorit të Kongresit të
Manastirit, më shkon mendja kah e keqja se mund të bëhet edhe berber i Alfabetit që e
kremtojmë tashi, se tok me të është edhe një hanxhi Akademie, që ka punuar Ligjin për mbrojtjen e gjuhës maqedonase, ligj që e nxori bashkë me të tjerët ligjvënësi Rafiz Haliti në ditët e para të uljes së përgjumur në kolltuk të nënkryetarit të Parlamentit dhe sipas këtij ligji, tash e tutje mbishkrimet e firmave shqiptare gjithandej ku janë e ku do të ngrihen dhe në ca të shkruara të tjera, do shkruhen me fjalë shqipe, ama me alfabet të sllavosur, cirilik, dhe kush nuk bën kështu, do paguajë herën e parë dy mijë euro gjobë, herët e tjera pas herës së parë lart e më lart, ashtu si e thamë me shembuj në javën e shkuar..?!
Berberë e samarxhinj të rrëzuar në xhep/Dhe, asohere, ligjëvënësi R.Haliti prapë do t'i qesë bejte gjykatës pse e zbaton këtë ligj që poshtëron shqiptarët dhe Gjykata do t'i japë përgjigje se e zbaton pikë për pike ashtu si e ka nxjerrë ligjvënësi që i qet bejte dhe nuk i ka shtuar asnjë poshtërim të ri prej atyre që ia kanë bërë ligjvënësit dhe s' mund të bëjë poshtërim më të zi prej atij që ligjvënësit e njerëzisë sonë ia kanë bërë gjuhës së vet...!!! Nga kjo që thamë e që lexuat del e kuptuar se, pse shkojnë takëm këta berberë të
gjuhës dhe samarxhinj të "lirisë", që u nisën të sjellin liri dhe vetëm i vunë lirisë një samar të ri përunjësie të lëmuar' që të ujdisë paq mbi shpinën tonë sepse njësoj nuk Janë Frikuar dhe nuk Frikohen prej Turpit dhe njësoj u rrëzuan në xhep, njëri në Strugë, të tjerët në Kala të Tetovës, kur bënë shitkën e saj dhe Rrëzuan Gjuhën Tonë,
Rrëzuan Rrnesën Tonë në Marrëveshje të Ohrisë!!! Kanë frikë nga "drejtësia", s' kanë frikë nga turpi! Tashi që mbaruam me ligjvënësin që i bën bejte Gjykatës, vjen sëraja e
dënglave të Teutkës, që asohere rrinte në Shkup si gazetare dhe bënte dritë, si Hëna, me dritë të huaj dhe fallet që ia thoshte një kallauz i Brankos në PPD i bënte lajme mbi bisedimet "e serta" në Ohri dhe mbi errësirën e bukur të Marrëveshjes që do bëhej dhe
që thotë tashi në TV se, me rastet e kthyera nga Haga do provohet "drejtësia e drejtë" e këtij vendi! Dhe, kur do provohet drejtësia me tre rastet e para, do dalë drejtësia e do flasë "drejtë", se për rastin e katërt, që kap çetën e BDI-së, do vlejë Ligji për Amnestinë, që vjen me thënë ndryshaj, ashtu si janë marrë vesh në dezertimet e tyre të natës në bodrumet e VMRO-DPMNE-së. Të dinin gjuhën tonë e të kuptonin edhe pulat këtë që thotë Teutka, do të shkuleshin së qeshuri dhe në fëmijërinë tonë, Nënmadhja Marta e
Mëhallës së Gjinajve në Gjinarë, që vëzhgonte fluturimin e shpendëve për të parafolë ndodhjet e motit, thoshte se, kur qeshin pulat, do na vijë ndonjë e keqe, ose mund vijë një kohë kur njerëzia jonë nuk do të trëmbet nga kulshedra me nëntë kokë, por do të trembet nga njerëzit me dy faqe, se në njerëzinë tonë, dy faqe nuk bëjnë një fytyrë, se fytyrën e bën nderi, ashtu si ka ardhur tashi ky turp dhe kjo e keqe pa e parafolë nga njerëzit me dy faqe..?! Ne tashi apim mendjen tonë që këtë të keqe mund ta ndalojmë vetëm nëse drejtësia jonë e shtrembër provon drejtësinë e vet "të drejtë", duke e bërë rast të parë rastin e katërt të Hagës, se më mirë se në këtë rast, nuk mund të provohet gjetkë drejtësia e drejtë e drejtësisë sonë të shtrembër, e mund të ketë rasje njerëzia jonë të mësojë edhe për ca dallavere pisanjose që janë bërë asokohe, nga gjithë këta që për veten e tyre i frikohen "drejtësisë" , por nuk i frikohen turpit..!!!
...