Takimet me ish-ministra të Jashtëm shqiptarë, në përpjekje për të lobuar për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, mund t’i shkaktojë problem fushatës së kandidatit të Partisë Republikane për President në SHBA, John Mc Cain. 

Kandidati republikan është akuzuar nga stafi i kandidatit rival të demokratëve, Barack Obama, se disa prej shefave të tij kryesorë të fushatës kanë konflikte interesi. Gazeta e njohur amerikane “The New York Times” ka botuar dje një raport investigativ, ku zbulohet se një numër i madh i ndihmësve të fushatës së Mc Canin janë përfaqësues të kompanive të njohura amerikane, si dhe të qeverive të huaja që kërkojnë të lobojnë për interesat e tyre të biznesit në Washington. “Duke shqyrtuar zgjerimin e lobingjeve të fushatës së tij, është provuar të jetë një biznes i pisët për senatorin John Mc Cain”, shkruante dje gazeta “Times”. Një prej këshilltarëve më të afërt të Mc Cain, i cili kishte lobuar në emër të qeverive të huaja para shtatë vitesh është Randy Scheunemann, shefi i politikave të jashtme në stafin e kandidatit për president të republikanëve. Sipas “The New York Times” gjatë viteve të shkuara, z. Scheunemann ka ndërmjetësuar disa herë takime të senatorit John Mc Cain me klientët e tij të interesit. Ai e ka prezantuar Mc Cain me ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, vende këto që kërkonin të fitonim një ftesë për anëtarësim në NATO. “The Times” shkruan se Scheunemann ishte i paguar nga këto qeveri për të lobuar në Washington dhe se ekzistojnë dokumente e prova të sigurta për disa takime të Mc Cain me ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë. Sipas gazetës amerikane, Scheunemann ishte i regjistruar si agjent i huaj lobist deri në mars të vitit 2008, kur ai kishte mbyllur marrëdhëniet me një sërë vendesh, por është provuar se ai i është bashkuar fushatës së Mc Cain shumë më parë se të mbyllte këto marrëdhënie. “Procesi i përpjekjes për të pastruar fushatën nga konflikti i interesave mund ta dëmtojë dhe t’i shkaktojë probleme të mëdha Mc Cain në rast se kandidati i tij rival do të vazhdojë të merret me të shkuarën e ndihmësve dhe këshilltarëve të Mc Cain”, shkruan “The Times”. Pas akuzave, Mc Cain dhe stafi i tij kanë reaguar duke deklaruar se, do të largojnë të gjithë ata persona që janë regjistruar si lobistë. Ndërsa për personat që nuk janë të regjistruar si të tillë, por kanë punuar më parë në emër të këtyre kompanive nuk do t’u lejohet që të përfshihen gjatë fushatës në debate për çështje, për të cilat ata ma parë kanë lobuar. Kjo gazetë shkruan se, Scheunemann si agjent i huaj mund të mbivendoset në një numër çështjesh që kanë të bëjnë me politikat e jashtme të Mc Cain.