Energjia ka qenë temë kryesore në diskutimin e sotëm mes kryeministrit, Sali Berisha dhe homologut të tij norvegjez, Jens Stoltenberg.


Menjëherë pas takimit të dy kryeministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku ndër të tjera kryeministri shqiptar deklaroi se, dy ndër kompanitë më të mëdha norvegjeze në fushën e energjisë, Statkraft dhe Statoil, janë të përfshira thellësisht në punën në Shqipëri.


Stoltenberg, vazhdoi më tej Berisha më siguroi që do të mbështesë plotësisht investitorët dhe kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri në fushën e energjisë, si dhe të fuqizojmë bashkëpunimin në këtë fushë kaq nevralgjike, siç është energjia.


Turizmi dhe pyllëzimi nëpërmjet pemëve frutore ishin tema të tjera që Berisha dhe Stoltenberg kanë diskutuar.


E informova, gjithashtu, Kryeministrin për dëshirën time për tu bërë të gjelbër në çështjet e energjisë, gjithashtu, edhe në pyllëzim. Norvegjia po ndihmon shumë vende në programet e pyllëzimit në kuadër të përballjes me pasojat e ndryshimeve klimaterike. Kemi shpresë se Kryeministri dhe qeveria e Norvegjisë do të ndihmojnë Shqipërinë në këtë përpjekje të madhe për pyllëzim të mirë, politikave të pyllëzimit nëpërmjet pemëve frutore.- tha Berisha.


Ndërkaq, kryeministri norvegjez tha se diskutuam potencialin e zhvillimit të bashkëpunimit në të gjitha format e energjisë, të energjisë se gjelbër, energjisë diellore, por, gjithashtu, edhe gazit, projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili është në plan për të kaluar përmes Shqipërisë.



Kryeministri, Stoltenberg pritet të vizitoi së shpejti Shqipërinë, pas pranimit që i bëri ftesës së Berishës.