Tani kryeministri Sali Berisha sheh mafie ngado që hedh sytë. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, ku thuajse asnjëherë nuk flet për atë që do miratohet, Berisha tha se Shqipëria bëhet vendi i parë në botë me koncesione që jepen krejtësisht online. Berisha tha se janë nënshkruar kontrata koncensionare për 320 hidrocentrale. Ai tha se megjithatë po tentohet të baltoset ky projekt, duke iu referuar qëndrimeve të opozitës për këtë proces. Përpjekjet për të baltosur këtë proces, përpjekjet e tipit më mafioz për të bërë presion mbi fituesin e koncesioneve, duke përbaltur një proces të ndershëm. Akuzat u faktuan të gjitha të pabaza, trillime dhe shpifje. Pasi dolën se ishin tërësisht trillime, u nxor qëndrimi i ri, i cili ishte anulimi i tyre. Me këto praktika, ata që ngrihen kundër zhvillimit të vendit të tyre, nuk mund të vijnë ndonjëherë në pushtet. Sepse të deklarosh se do anulosh ndërtimin e 320 hidrocentraleve, ti do të thotë që të mbledhësh të gjitha fuqitë negative të natyrës dhe ti derdhësh kundër vendit tënd, për të shterruar një proces jetik, në të cilin asetet, pasuritë shndërrohen në vlera. Duke pasur parasysh rëndësinë kapitale të këtij procesi, unë u them se këto kontrata janë 3 miliard euro investimi. Janë mbi 100 mijë vende pune që krijohen në procesin e ndërtimit të këtyre hidrocentraleve, që po ndërtohen nga jugu deri në alpe, tha Berisha, që nuk përmendi për asnjë moment as dy punëtorët që vdiqën dje gjatë ndërtimit të një hidrocentrali.


Berisha shtoi se tanimë qeveria e tij është e treta në botë për transparencë. Ai iu referua një studimi të një fondacioni të Universitetit të Kembrixhit, që po qarkullon në mediat qeveritare. Berisha tha se Shqipëria ka kaluar edhe SHBA-të, që themeluan nismën për qeveri të hapur. Tani kalohet në procedurë tërësisht dixhitale. Në faqen e agjencisë së prokurimeve publike do mund të lexohen të gjitha ofertat, të gjithë fituesit dhe kushtet në të cilat kanë fituar. Kjo përbën një hap shumë të madh në përpjekjen tonë për të konsoliduar në këtë vend partneritetin për qeveri të hapur, nisëm e dy viteve më parë e presidentit amerikan, Barak Obama dhe presidentes së Brazilit. Shqipëria është vendi i tretë në botë sipas Universitetit të Kembrixhit për hapjen ndaj korporatave. Ne kemi lënë pas edhe dy vendet që ndërmorën këtë nisëm. Ky hap na inkurajon dhe ne nuk do lëmë përpjekje pa bërë dhe do përdorim këtë nisëm për përsosjen e qeverisë sonë, tha Berisha.