Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot në Parlament qeverinë, e cila sipas tij u tregua tërësisht cinike ndaj të përmbyturve nga vërshimet e fillim dhjetorit.


Duke i përgëzuar për shpërblimet e dhëna ndaj ushtarakëve që asistuan për përballimin e emergjencës, Berisha tha se shpërblimi duhet të kishte nisur nga ata banorë që sot kanë mbetur pa banesa dhe  ushqim.


Pjesë nga fjala e Berishës:


Ndodhi një katastrofë në zonën e Vjosës dhe zona të tjera, nuk ka gjë më çnjerëzore, më të shpërfytyruar para njerëzve sesa rrahgjoksja, krenaria absurde e këtyre qeveritarëve të cilët rrinë dhe i bëjnë elozhe njëri-tjetrit, harrojnë se u është mbytur gjëja, u është mbytur e gjithë shtëpia, janë të sëmurë, janë pa bukë, janë pa asnjë ndihmë.


Dhe këta rrinë e lavdërojnë njëri-tjetrin, njëri thotë se Olta ka qëndruar 48 orë pa gjumë, sikur të ishte ky monitori i gjumit të saj. Tjetra thotë jam krenar me atë dhe me këtë, krenar me përmbytjet, me vuajtjen e njerëzve, me braktisjen e njerëzve.


Si ka mundësi more njerëz që ky moral sillet në parlament, të paktën mbajeni për kabinetin qeveritar, mos na e sillni në parlament. Qëndrimi juaj ndaj të përmbyturve është cinizëm total, injorim  total i pasojave të rënda me të cilat u përballën.


Shumë mirë që shpërblyet ushtarakët dhe u përgëzoj për këtë, por para së gjithash duhet të shpërblehen ata të cilët nuk kanë kotheren, sepse ua mori Vjosa, vodhët fondet, thoni keni investuar 10 milion euro në pritat e Vjosës, i keni vjedhur 10 milion euro në Vjosë.


 Shkoni dhe shikoni pritat e ndërtuara disa vite me parë nuk kanë lëvizur vendi, ndërsa pritat tuaja i mori lumi si të ishin prej kartoni.


Zoti kryetar, kjo që bëjnë është dezuhumanizim i parlamentit. Ndaj këtu lavdërime, rrahje gjoksi mbi mjerimin, vuajtjen, dhimbjen e qytetarëve të përmbytur nga babëzia dhe abuzimi i atij njeriu aty dhe Ministrave të tij nuk duhet të ketë më. Kjo ishte kërkesa ime.