Menjëherë pas seancës në Kuvend, ku u shkelën të gjitha rregullat dhe ku kryeministri Berisha u kujtoi opozitarëve 21 janarin, ai ka mbledhur qeverinë. Ndërsa ka folur për një sërë çështjesh, Berisha është ndeluar tek privatizimet, veçanërisht privatizimi i Albpetrol, duke thënë se me këtë veprim po luftohet korrupsioni.
Berisha tha se pivatizimi është rruga më e sigurtë për të goditur korrupsionin, ndërsa ironizoi opozitën për votën kundër në parlament duke u shprehur: Opozita e kundërshtoi ligjin pa asnjë argument, zero argument, duke shtuar se ata votuan kundër një marrëveshje që kishin firmosur vetë ata.
Marrëveshja e privatizimit të Albpetrolit është jashtëzakonisht e rëndësishme. privatizimi është rruga më e sigurtë për të goditur korrupsionin në këtë sektor. Uroj që Shqipëria të bëhet një vend i rëndësishëm i hidrokarbureve, tha kryeministri duke nënvizuar se vendi ynë zotëron fushën me sasinë më të madhe të naftës në Europën Kontinentale, Patos-Marinzën.
Sipas Berishës, nevojitet një menaxhim i mirë qoftë i burimeve ekzistuese, ashtu edhe i kerkimeve te reja.
E vërteta është se zhvillimet e 5-6 viteve të fundit në fushën e hidrokarbureve kanë dëshmuar se Shqipëria është një vend i lakmueshëm në këtë fushë. Disponojmë fushën Patos- Marinëz. Në këtë fushë Bankers Petroleum përllogarit të ketë 6 miliardë fuçi naftë bruto, e cila me metoda parësore dhe dytësore mund të arrijë gjer në 50 milionë ton., tha Berisha.