“Ruajtja e kufijve është një çështje madhore për qeveritë tona, për sigurinë si dhe ndaj partnerëve evropianë”, theksoi Berisha në Konferencën e Shtatë të Ministrave të Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor me temë “Mbi sigurinë e kufijve”.
Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Berisha u shpreh se ky proces kërkon angazhim më të madh nga të gjitha vendet e rajonit, për të dëshmuar para aleatëve evropianë se këto vende janë të gatshme të luftojnë krimin e organizuar. “Para disa kohës, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia përfituan nga procesi i liberalizimit të vizave, Shqipëria dhe Bosnja Hercegovina janë në prag të këtij liberalizimi. Natyrisht ky zhvillim rrit përgjegjësinë tonë ndaj partnerëve tanë në Evropa. Një luftë e përbashkët e krimit të organizuar. Siguria e kufijve është në përgjegjësinë tonë më të madhe”, tha më tej kryeministri.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë, ka kujtuar edhe sukseset e qeverisë shqiptare në minimizimin e krimit të organizuar. “Që në fillim qeveria ime u angazhua për një luftë zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Forcat e rendit me një përgjegjësi të lartë dhe me profesionalizëm, por edhe me guxim, në një harku kohor mbi 206 grupe dhe organizata kriminale. Vendosën para ligjit rreth 1000 anëtarë të këtyre organizatave”, kujtoi kryeministri ynë.
Në bindjen time-vijoi ai-zero tolerancë krimit është shtylla me të cilën duhet të bazohet lufta kundër krimit të organizuar. “Shqipëria ja doli që të ketë tregues të kriminalitetit, qartësisht në nivele më të ulëta se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian”, nënvizoi Berisha, duke përmendur këtu miratimin e disa ligjeve të rëndësishme, si ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, etj.
Berisha ka përmendur këtu edhe memorandumin e skafeve, që sipas Berishës, i dha fund trafikut të qenieve njerëzore drejt Italisë. “Parlamenti miratoi para tre vitesh dhe rivotoi para dy muajsh, moratoriumin për ndalimin të gjitha skafeve, të cilat të nderuar ministra nuk ishin gjë tjetër veçse industri e mafies, e cila mbillte edhe vdekje përveç fitimeve. Nuk kemi regjistruar asnjë viktimë në ujërat e Adriatikut, sikundër ka një rënie dramatike drejt zeros së trafikut të drogës”, tha gjithashtu kryeministri Berisha. Instalimi i sistemit TIMES në dogana, radarët për kontrollin e hapësirës detare, pasaportat biometrike, ishin disa nga suksese e përmendura nga kreu i qeverisë.