TIRANË- Duke e quajtur reformën në shëndetësi si më madhoren e qeverisë që drejton, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se shumë shpejt do të nisë nga zbatimi programi i ri që do e vendosë sistemin tonë shëndetësor mbi baza dixhitale. Deklarata u bë sot gjatë ceremonisë së inaugurimit të qendrës së shëndetësisë INTERNE, pranë Qendrës Spitalore Nënë Tereza, ku Berisha garantoi mjekët se qeveria do të mbështesë zhvillimin, kërkimin shkencor dhe kualifikimin e tyre në klinikat më të mira të Europës.


Ky spital është një homazh për përpjekjet tuaja shumë vjeçare, përkushtimin dhe humanizimin tuaj. Ju bëni një punë të shkëlqyer, të bazuar në sakrificë të madhe në kushte të vështira, por keni shpëtuar dhe shpëtoni qindra jetë, luftoni me vdekjen- tha Berisha.


Sipas tij, sot sistemi shëndetësor po vendoset në baza të reja, janë shtuar potencialet diagnostikuese të këtij sistemi dhe janë aplikuar metoda më moderne të mjekimit.


Reforma në shëndetësi mbetet qëllimi më madhor. Hapa të rëndësishëm janë bërë dhe po shkojmë drejt në faze vendimtare të sistemit të ri të financimit së shpejti nis zbatimi i programit, që do të vendosë sistemin tonë mbi baza dixhitale, si një premisë për menaxhimin e suksesshëm të tij. Të arrijmë standardet më të mira të diagnozës, mjekimit dhe të nxisim kërkimin shkencor- tha ai.