TIRANE – Me një dozë të lartë optimizmi, Kryeministri Berisha u shpreh sot gjatë “Balkan Expo Wine 2012” se verërat shqiptare tashmë konkurojnë, përsa i përket cilësisë, me ato italiane e franceze, të njohura këto të fundit në të gjithë botën për famën e tyre ndërsa çmimet arrijnë edhe në 500 Euro shishja.

“Në një hark kohor të shkurtër prodhimi i verës në Shqipëri është 5 fishur – deklaroi Kryeministri – Eksporti i verërave shqiptare është 4-5 fishuar. Verërat e këtij vendi konkurojnë në drekat dhe darkat e qytetarëve shqiptarë krahas verërave italiane e franceze”, pohoi Berisha.

Ai e quajti “Balkan Expo Wine 2012” dëshmi “e një progresi të shkëlqyer të verës, prodhimit, tregut të saj në saj në Shqipëri dhe rajon. Ky rajon në shekuj dhe mijëvjeçarë ka qenë dhe mbetet rajoni i varieteteve më të shkëlqyera të rrushit për prodhimin e verërave. Shqipëria ka qenë gjithnjë një rajon i rëndësishëm rrushi dhe vere”.

Kryeministri premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka që “shqiptarët të konkurojnë me dinjitet të madh në tregun rajonal të verërave dhe më gjerë”. “Garantoj prodhuesit – shtoi ai – që qeveria do të bëjë gjithçka për krijimin e hapësirave më të mëdha për tregun e verërave duke ruajtur standardet më liberale”.

(im/shqiptarja.com)