Henri Çili 

Kryeministri Berisha ka nisur fushatën elektorale. Simboli i kësaj nisjeje është e hëna, që kaloi me mitingun e tij me të rinjtë në ditën e Rinisë, 8 dhjetorin, ditën simbol të demokracisë shqiptare, jo thjesht të demokratëve shqiptarë. Bashkë me këtë nisje mund të thuhet se kryetari i maxhorancës është sot “pa komunikim politik”, ose më saktë “pa komunikim politik profesional”. Përveç sloganit “Shqipëria po ndryshon”, i cili shpreh një koherencë të frymës së maxhorancës me “Kohën për ndryshim”, asgjë tjetër nuk duket profesionale në komunikimin politik maxhorancës 6 muaj para takimit elektoral të shumicës aktuale.
Tre nga tiparet para-profesionale të komunikimit politik të kryeministrit Berisha dhe maxhorancës në përgjithësi është rutina e përurimeve, zëdhënia ose shumëfishimi i të njëjtit mesazh politik si dhe mitingjet.
Së pari, rutina  e përurimeve, e përforcuar kjo edhe me reklamat elektorale të ministrive janë duke u përdorur dendësisht, duke u tepruar në masë, në cilësi, në formë dhe përmbajtje. Përurimi është simbolik i një qeverie që punon dhe ai është pjesë e kronikës politike. Por përurimi si një qëllim në vetvete ka një kundërefekt. Ai është një element i stërpërdorur, është i thjeshtë, ka mesazh aq direkt sa në fakt është një kundërmesazh dhe nga ana tjetër përurimi si simbolikë politike mund të inkuadrohet shumë shpejt në kuadrin e propagandës dhe lidhet dobët me marrëdhëniet publike. Njerëzit në çdo shoqëri të lirë kanë një problem dhe dyshim për mënyrën se si qeveria harxhon paratë e taksapaguesve dhe për të tepër të kërkosh përmes përurimeve të pafundme, shpesh fiktive apo të përsëritura shumë herë për të njëjtën gjë, të marrësh sërish votat e qytetarëve konsiderohet në intuitën politike elektorale si një abuzim.
Së dyti, zëdhënia ose shumëfishimi i mesazhit politik të kryeministrit Berisha përmes zëdhënësve formalë apo ad-hoc të shumicës dhe qeverisë, sikurse ndodh rëndon në mënyrën se si funksion maxhoranca aktuale, është po ashtu si një mjet komunikativ joefecient. Mesazhi politik uniformizohet, shumëfishohet, por nuk pluralizohet për të krijuar rreth shumicës në pushtet atë galaktikë, idesh këndvështrimesh, qëndrimesh, nuancash për të cilën ka nevojë një forcë e madhe politike që kërkon një mandat tjetër. Ajo që thotë Berisha gjen jehonë përmes të shumë zërave dhe zëdhënësve të maxhorancës që kanë të njëjtin mesazh, të njëjtën gjuhën, të njëjtin stil, të njëjtën teknikë, të njëjtën dorë. Është e qartë që është nëse lexohet nga Bogdani, Bumçi, Xhaferri, Paloka etj., teksti në fakt është i Berishës, jo thjesht linja apo ideja. Argumenti i përsëritur nuk është kontribut për të fituar apo ruajtur pozita në debatin publik. Argumenti i diferencuar dhe shumanshëm zgjeron bazën argumentit, zgjeron sipërfaqen e argumentit me publikun dhe shumë më tepër individë identifikohen me mesazhin. Pa argumentin e pluralizuar brenda të njëjtës frymë dhe ide politike është e pamundur, që një forcë politike të ndërtojë një shumicë mbështetëse.
Së treti, mitingjet më në fund mitingjet, që në fakt janë një nga tiparet dhe mjeshtëritë e politikanit Berisha, që nga fillimet e demokraci. Në këtë fushë ai është pakonkurrueshëm vërtet, por sikur mitingu të ishte i vetmi akt përbërës i politikës kjo do të mjaftonte. Politika moderne e ka copëtuar mitingun, që është simbol i shoqërisë së masave, duke iu adresuar grupeve shoqërore më të vogla dhe identitare. Mitingu i ka lënë gjithnjë e më shumë media–eventit, kur mesazhi adresohet, përqendrohet, i drejtohet drejtpërdrejt një grupi të izoluar. Mitingjet klasike nuk janë përgjigje e shoqërisë heterogjene, me interesa kontradiktore. T’u flasësh të gjithëve nuk i ke folur askujt, të thuash shumë mesazhe nuk ke thënë asnjë tamam, të bësh një fjalim të tipit nga atom që Umberto Eko i quante “përmbledhje e shkurtër për universin”, e ke shpërndarë mesazhin tënd në asgjëkund. Dhe për tepër të përtëritësh të njëjtin fjalim monoton vazhdimisht do të thotë të mos konsiderosh një shoqëri dinamike.
Të tre këta elementë janë që të gjithë elementë paraprakë të komunikimit politik, të cilët ndoshta nuk përjashtohen si të tillë në gamën e instrumenteve, që përdor komunikimi politik. Por e gjitha në një kuadër strategjik, ku proporcionalisht ato qëndrojnë në harmoni me dhjetëra elementë të tjerë.
Dhe së fundi, rënia në këto elementë rutinë të komunikimit politik është një tregues evident i faktit, që një komunikim politik strategjik mungon aq më tepër.
Por a janë këto kapacitetet e shumicës aktuale dhe kryeministrit Berisha. Aspak! Brenda maxhorancës gjendet “cilësia e heshtur”, e cila është e heshtur ose nuk ka hapësirën e duhur ose sepse loja e saj nuk është ajo që po luhet. Aq më pak këto janë kapacitetet e frymës së djathtë dhe neo-liberalizmit në këtë vend. Përgjigjet që ka e djathta dhe neo-liberalizmi për problemet aktuale të Shqipërisë janë përgjigjet më të mira. Mjetet janë të pamjafta, ekipet të mangëta. Idetë janë të fjetura.