Kryeministri Berisha priti në takim Kryetarin e Bashkisë së Torinos, Sergio Champarino. Kryebashkiaku i Torinos tha se ndodhej në Shqipëri në kuadër të interesit të investitorëve torineze për të rritur bashkëpunimin me vendin tonë. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për mundësinë për bashkëpunim të ngushtë me këtë qytet, qendër e fuqishme industriale jo vetëm në Itali. Kryeministri tha se Shqipëria është vendi i shumë mundësive për investime nga kompanitë më të mëdha të kësaj zone si dhe për një bashkëpunim të frytshëm me Universitetin e Torinos.

Kryeministri Berisha e njohu kryetarin e Bashkisë së Torinos me të gjitha lehtësitë ligjore si dhe sistemin e favorshëm të taksave për investime të huaja në Shqipëri. Kryeministri tha se qeveria shqiptare mirëpret investitorët torinezë në Shqipëri dhe se do të mbështesë investimet e tyre që ato të jenë një histori suksesi.