16/04/2012  Kryeministria për arsye sigurie njofton pas kthimit nga Kandahari


Ushtarëve; Jemi krenarë për ju, do të qëndroni këtu deri në fund


Kryeministri Berisha përfundoi vizitën dyditore që u bëri trupave të Forcave të Armatosura Shqiptare në Afganistan, që operojnë në kuadër të misionit të NATO-s “ISAF”. Vizita u mbajt e fshehtë për arsye sigurie nga Kryeministria, e cila vetëm dje njoftoi mbi detajet e takimit Në vizitën e tij të parë në Afganistan Kryeministri shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneralbrigade Xhemal Gjunkshi. Vizita e tij u zhvillua pak kohë pas humbjes të kapiten Feti Voglit dhe plagosjes së nëntetar Aleksandër Peçit gjatë një operacioni paqeruajtës në Kandahar. Numri një i qeverisë shqiptare u takua me ushtarakët shqiptarë që janë me mision në shtabin e “ISAF” dhe komandën rajonale në Kabul. Konkretisht Kryeministri vizitoi Bazën e Përparuar Operacionale në Spin Buldok në Kandahar, ku është vendosur edhe kontingjenti i forcave speciale shqiptare “Eagle-4”, dhe pati një takim shumë të përzemërt me efektivin e kompanisë “Eagle-4”. Kryeministri u shprehu ushtarakëve tanë mirënjohjen më të thellë të tij, të qeverisë dhe të popullit shqiptar për përfaqësimin me dinjitet të lartë të Shqipërisë, në përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në mbështetje të popullit afgan. Ndërkohë siguroi se misioni i paqeruajtësve shqiptarë në Afganistan do të vijojë derisa të jetë e nevojshme. “Më lejoni t’ju siguroj se ne do të qëndrojmë këtu derisa miqtë tanë do të jenë këtu. Ne do vazhdojmë përpjekjet së bashku me ushtrinë amerikane të ndihmojmë këtë vend. Ne do të bëjmë më të mirën tonë për të dhënë edhe ndihmën tonë modeste për qytetarët afganë në fushën e arsimit dhe në fusha të tjera. Edhe një herë ju falënderoj për misionin tuaj të madh dhe t’ju siguroj se jemi shumë krenarë me ju”, - tha Kryeministri në fjalën e tij para ushtarakëve shqiptarë. Në ditën e dytë Kryeministri u takua me efektivin e kontingjentit të FARSH në Kamp-Arena, në Herat. Fillimisht ai u prit nga komandanti i Komandës Rajonale Perëndimore, gjeneralbrigade Luigi Chiapperini. Gjatë kësaj vizite ai u takua edhe me përfaqësuesin civil më të lartë të NATO-s në shtabin e ISAF, ambasadorin Simon Gas, komandantin e forcave amerikane në Afganistan, gjeneralin Xhon Allen dhe zv.komandantin e Komandës Rajonale Jugore, gjeneralmajorin Javier Cabeza. Kryeministri falënderon komandën e NATO-s në Kabul, të “ISAF”-it në Herat, komandot e njësive të saj në Spin-Buldok, Kandahar, qeverinë turke, FA-të e SHBA-ve dhe të Italisë për lehtësitë që krijuan në realizimin e kësaj vizite.


Integrimi


Kryeministri u foli edhe ushtarëve në Afganistan për projektin madhor të Shqipërisë dhe planet për realizimin e tij: integrimin e vendit tonë në BE. “Në Shqipëri është vendosur një situatë normale. Mazhoranca dhe opozita po bashkëpunojnë në parlament për të përmbushur detyrimet, të cilat nuk kanë absolutisht asnjë qëllim tjetër veçse të bëjnë qytetarët shqiptarë më të sigurt, më të mëkëmbur e më të lirë. Ndaj ne jemi të vendosur ta ndjekim me një univers të tërë reformash këtë proces”, - tha Berisha.


Qëndrimi


Kryeministri Berisha gjatë takimit me ambasadorin Gas e falënderoi për mikpritjen dhe vlerësimin që i bëri Shqipërisë dhe kontributit të FA-ve. Berisha e informoi ambasadorin se qeveria shqiptare ka ofruar 100 bursa për të rinjtë afganë, duke e konsideruar rritjen e nivelit të arsimimit të qytetarëve të këtij vendi si një element të rëndësishëm për përparimin e popullit të tij në të ardhmen. Ai e siguroi atë se Shqipëria do të qëndrojë në Afganistan për sa kohë të qëndrojë Aleanca dhe SHBA-të.