24 orë pas triumfit të Interit në Superkupë, në tapetin e “San Siros” zbritën dy ekipet që së bashku me Romën, janë kandidatët zyrtarë për të sfiduar zikaltrit në kampionat. Por Rafa Benitezi për momentin mund të rrijë i qetë sepse të paktën nga sa u pa mbrëmë, as Milani e as Juventusi nuk kanë potencialin e nevojshëm për të ndalur vrullin e kampionëve të trefishtë të sezonit të kaluar.

Përballja e mbrëmjes së djeshme shfaqi në fushë një Milan më të saktë në fazën sulmuese, udhëhequr nga një Ronaldinjo në formë të mirë. Nga ana tjetër, “Zonja” u shfaq më e organizuar dhe kompakte, por pa sinjale shkëlqimi. Në pjesën e parë kishte pak punë për dy portierët, kurse në të dytën austriaku i Juves, Maninger, u thirr dy herë në apel nga Ronaldinjo dhe Flamini. Në të dy rastet pati sukses.

Fituesi i trofeut u përcaktua nga 11-metërshat, pas 90 minutave të mbyllura me rrjeta të paprekura. Për bardhezinjtë e Delnerit u treguan të saktë Pepe, Bonuçi, Lanzafame, Diego dhe Mota, ndërsa Tiago Silva goditi sipër tranversës për Milanin, duke i dhuruar trofeun ekipit nga Torino.