Milano - Kryeministri Italian, Silvio Berluskoni, do të qëndrojë në spital edhe ditën e sotme, pas sulmit të së dielës që i theu hundën, kanë thënë mjekët. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, i cili u godit në fytyrë me një statujë prej hekuri, ka gjasa të mos largohet nga spitali para ditës së sotme. Lajmi është bërë i ditur nga mjeku personal i Berluksonit, Alberto Zangrillo, për agjencinë e lajmeve ANSA. Ndërkohë media italiane bën të ditur se sulmuesi i tij Masimo Tartalia, ka kërkuar ndjesë, për atë që ai e quajti “akt sipërfaqësor, frikacak dhe i pavëmendshëm". Situata është e qetë, por gjendja shëndetësore e Berluskonit kërkon shumë vëmendje”,- ka bërë të ditur zoti Zangrillo, duke shtuar se kryeministri ka gjasa të kthehet në punë brenda 10 ditësh. Berluskoni ka dhimbje koke dhe vështirësi në të ushqyer, shtojnë mjekët. Mes plagëve përfshihen dhe një e prerë e thellë nën syrin e majtë si dhe dy dhëmbë të thyer. Zangrillo thotë se Kryeministri Italian, ka humbur gjysmë litër gjak nga sulmi i cili ndodhi menjëherë pas përfundimit të një takimi politik që po zhvillonte në sheshin Duomo të Milanos, vendlindja e Berluskonit. Agresori i tij, i cili u arrestua menjëherë pas sulmit, shpërndau një letër përmes avokatit ku i kërkonte ndjesë Berluskonit për sulmin. “Nuk e njoh veten time”, - shkruan 42-vjeçari Tartalia, i cili goditi Berluskonin me një statujë të katedrales së Milanos. Ai shton në letër se “ka vepruar i vetëm, pa u ndikuar nga politika apo militantizmi”, – shkruan ANSA.
Ky lajm është publikuar: 16/12/2009