Dy ditë pas problemeve të forta në zemër që çuan në shtrimin e ish-Kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni, në spital, mjekët kanë vendosur ta operojnë në zemër. Ndërhyrja do të kryhet javën e ardhshme për ti zëvendësuar një valvul të dëmtuar në aortën e zemrës. Mjekët shpjeguan se risku i vdekjes gjatë operacionit është rreth dy përqind, teksa kavalieri e ka marrë me optimizëm.
Silvio Berluskoni do ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në zemër nga mesi i javës së ardhshme.
Lajmi është bërë i ditur nga mjeku i tij personal, Alberto Zangrillo, i cili tha se kreut të Partisë Forca Italia do ti zëvendësohet një valvul e dëmtuar në aortën e zemrës.
Në një konferencë për shtyp nga spitali San Raffaele në Milano, ku ndodhet i shtruar prej dy ditësh Berluskoni, Zangrillo tha se ndërhyrja është e nevojshme për të evituar rrezikun dhe pas një muaji ish-Kryeministri do të kthehet në gjendje të mirë shëndetësore.
Ai shpjegoi se kavalieri ka kaluar një rrezik të lartë për atak kardiak teksa rrisku i vdekjes gjatë ndërhyrjes është rreth 2 përqind.
Mjeku që do të kryejë operacionin do të jetë Ottavio Alfieri, kreu i repartit të Kardiologjisë në spitalin San Rafaele, profesionist i njohur edhe ndërkombëtarisht.
Fillmishit ish-Kryeministri nuk e ka pritur mirë lajmin për ndërhyrje, por më pas dhe me shpjegimin e mjekëve, është bindur për nevojën e ndërhyrjes.
Është një njeri që do të arrijë 130 vjeç, tha mjeku i tij personal, por për këtë ai i sugjeron të qëndrojë jashtë politikës.
Nëse Berluskoni do të kthehet lider pas operacionit apo do të vendosë të jetojë i qetë, kjo mbetet një zgjedhje e tij, të cilën me shumë mundësi do ta shohë me tjetër këndvështrim pas operacionit.
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter