TIRANE-Besa e Kavajës është fituesja e edicionit të 58-të të Kupës së Shqipërisë, duke mundur 2-1 në finale Vllazninë. Takimi i luajtur mbrëmë në "Qemal Stafa" ka dhuruar emocione të shumta, ndërkohë që për të përcaktuar fituesin është dashur edhe koha shtesë. Në fund, skuadra kavajase ka ditur të triumfojë, duke treguar përgjithësisht një nivel më të lartë se shkodranët. Në fakt, u duk se Kupa do t'i shkonte sërish Vllaznisë, kur në minutën e 64-t Bekim Bala arriti të realizonte me kokë. Por, skuadra e Duros ka besuar te përmbysja, duke barazuar shifrat vetëm 5 minuta para përfundimit dhe duke marrë fitoren në minutën e 7-të shtesë. Ndërsa kavajasit kanë qenë të gjithë në delir, duke festuar me tifozerinë e tyre dhe duke ngritur lart trofeun, zhgënjimi dhe lotët kanë përfshirë ekipin shkodran. Me humbjen e mbrëmshme, Vllaznia do të jetë përfundimisht jashtë Kupave të Evropës, ndërkohë që tashmë i duhet të mendojë për kampionatin, ku ende nuk e ka siguruar matematikisht qëndrimin. Edhe në fund të finales së mbrëmshme, trofeu skuadrës fituese iu dorëzua nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.
Pjesa e parë
Pjesa e parë e takimit të mbrëmshëm ka qenë një futboll i mërzitshëm, i ngadaltë dhe pa emocione. Momenti i parë i rrezikshëm ishte minuta e 13-të kur Besa goditi shtyllën pas një goditje dënimi të Bledi Shkëmbit. Në të 22-tën vjen edhe momenti më i rrezikshëm i fraksionit të parë, me një goditje të Sinanit nga 30 metra, por që grushtohet nga Grima. Besa rrezikoi edhe në minutën e 43-të me anë të Mihanit, por portieri veteran i Vllaznisë sërish ishte i saktë.
Pjesa e dytë
Loja ndryshoi si me magji në pjesën e dytë të finales së mbrëmshme. Dy skuadrat nisën të shihnin më shumë drejt portave respektive, duke krijuar edhe raste për gol. E megjithatë, ishte Vllaznia ajo që arriti të kalonte e para në avantazh. Pas një goditje dënimi nga rreth 35 metra, topi i shkon Balës, që me kokë mposht portierin Orges Shehi. Vërtetë një gol spektakolar ai i sulmuesit të ri të Vllaznisë. Duro nis të ndryshojë në formacion, duke hequr fillimisht Mancakun dhe më pas Sinanin. Pesë minuta para fundit, vjen një tjetër goditje dënimi pranë vijës anësore, por këtë herë për Besën. Shkëmbi kroson bukur dhe topi preket në fillim nga Arapi e më pas nga Kraja, për të përfunduar në rrjetë. Ky rezultat i ka çuar skuadrat në shtesë.
Koha shtesë
Në kohën shtesë, emocionet janë arritur akoma më shumë, ndonëse lojtarët ishin të lodhur. Kaluan vetëm 7 minuta dhe Besa ndërton një aksion model: Poçi del i vetëm me Grimën dhe godet, ndërsa topi i kthyer nga portieri shkodran i shkon Dhëmbit, i cili e dërgon në rrjetë. Besa më pas ka administruar gjithçka, por në minutën e 117-të të shtesës, Haxhibuliç rrezikoi të barazonte me një goditje me kokë, që u grushtua nga Shehi. Më pas, gjithçka përfundoi.

(d.b/BalkanWeb)