KRUJE-Besa e Kavajës, që e ka ndjekur Dinamon kryesuese hap pas hapi, që nuk e kishte provuar shijen e humbjes deri të dielën e 1 nëntorit 2009, është dorëzuar në Krujë. Dhe ndëshkimi nga Kastrioti ka ardhur në momentin më delikat, kur Dinamo kishte fituar 4-0 një ditë më parë, ndaj Gramozit, pikërisht në minutën e 92-të të ndeshjes, kur Abazaj ka ngritur peshë tifozërinë krutane, ndërkohë që ka pllakosur heshtjen e madhe në kampin kavajas. Portieri Orges Shehi ka pësuar kësisoji golin e dytë në këtë kampionat, pasi nuk ishte prekur rrjeta e tij qysh në javën e parë të kampionatit, në Peqin, në fitoren 2-1 të Besës. Tashmë diferenca mes Besës dhe Dinamos shkon në 5 pikë, duke e bërë akoma më interesante ndeshjen e radhës mes tyre, javën e ardhshme, në stadiumin e Kavajës. Sidoqoftë, kjo diferencë krijon një presion të madh në radhët verdhezi, që shikojnë të largohen jo pak nga kreu. E kundërta mund të thuhet për blutë e Dinamos, që, kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i fazës së parë, mund ta konsiderojmë pothuajse "kampione e dimrit", një titull simbolik ky.

Po të dielën, në stadiumin "Niko Dovana", në kuadrin e javës së 9-të të superligës, Teuta e Durrësit luajti me Skënderbeun. "Djemtë e detit" arritën të fitojnë pastër, 2-0, ndaj miqve nga Korça, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë, nga Hodo dhe Hysa. I pari realizoi me një goditje dënimi, por edhe me ndihmën e murit korçar, që e devijoi topin drejt rrjetës së Llapanjit, ndërsa i dyti konkretizoi një aksion model, që pati për iniciator Hysenin. Me këtë fitore, Teuta e drejtuar nga Mirel Josa ngjitet në vendin e katërt në renditje, me 15 pikë, duke parakaluar kështu Tiranën, që ka një pikë më pak. Në anën tjetër, Skënderbeu vijon të shfaqë probleme në transfertë, edhe pse në Durrës, në pjesën e parë, pati iniciativën në lojë, madje humbi edhe një rast të pastër për gol.

Ndërkohë, të shtunën u luajtën tri ndeshjet e tjera të javës së 9-të të superligës, e cila e ngriti siparin e saj të premten, me sfidën e zhvilluar në "Loro Borici", mes Vllaznisë dhe Tiranës, e fituar nga miqtë 1-0, me gol të Muzakës. Në ditën e dytë të kësaj jave spikat goleada e Dinamos kryesuese, 4-0 ndaj Gramozit debutues në superligë, edhe pse ka luajtur më shumë se 50 minuta me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të portierit Kotorri. E papritur, që mund të konsiderohet hap fals, ishte barazimi i Apolonisë në Fier, me Flamurtarin. Skuadra e drejtuar nga Karishik ka kaluar e para në epërsi, me anë të afrikanit Carls, por është barazuar në fundin e lojës nga vlonjatet, falë golit të Sakajt. Apolonia vërtet ruan vendin e tretë në renditje dhe ka 6 ndeshje pa humbur, por mund të thuhet se ka lënë dy pikë në shtëpi, ndërkohë që Flamurtari ka marrë një barazim morali, më shumë se në aspektin e pikëve. Ndeshja tjetër, e luajtur në Peqin, mes Shkumbinit vendas dhe Lacit është mbyllur me fitoren e bardhekaltërve, 1-0, me gol të shënuar nga Roland Dervishi. Një 90-minutësh i hapur ky, i luftuar fort nga të dyja skuadrat, por që u ka buzëqeshur vendasve, që kanë bërë diferencën falë golit të Dervishit, i cili përkthehet në tri pikë të çmuara.

(d.b/GSH/BalkanWeb)