- "Kam bërë tifozllëk për të dy ekipet, pasi janë rivale të hershme,por kësaj radhe isha me ekipin e qytetit tim, Besën", tha Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu per Radio Tiranen.
"Kam një gëzim i papërshkrueshëm, është një gësim i paparë, ia dhuroj gjithë tifozëve kavajas", tha presidenti Bizhdili, pas fitimit të Kupës. "Presidenti Moisiu na nderoi shumë me praninë e tij, por herë të tjetër kur të dalim kampion, do të doja të na nderonte kryeminstri Berisha".
Besa shkroi emrin në "Librën e artë" të Kupës së Shqipërisë duke u rreshtuar mes nëntë ekipeve që e kanë fituar atë të paktën një herë, kur mposhti në finale Teutën (3-2). Një trofe i merituar në edicionin e 55-të të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm. Një trofe që skuadrës kavajase ia dorëzoi në tribunën "VIP" Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu (me shall verdhezi si i Besës), i cili ka lindur në Kavajë. Moisiu puthi kupën përpara se t'ia dorëzonte Xhihant, për të dhënë sinjalin e nisjes së festës, ku vetë presidenti (Moisiu) zbriti ne fushe dhe u bashkua me ekipin e Kavajes se bashku me Bizhdilin.
Një shans i madh edhe për trajnerin debutues Ylli Telitit, i cili e fitoi atë në bankinën e parë të tij. "Ia dedikoj të gjithë tifozëve të saj, stafit teknik, presidentit Bizhdili", tha Teliti pas ndeshjes. "Jam shumë i lumtur për fitimin e Kupës, për më tepër që hyra dhe unë në historinë e Besës, si kapiteni i parë që fiton Kupën e parë", tha mënjëherë pas ndeshjes, kapiteni Parid Xhihani.
Gati dy mijë tifozë kavajas pushtuan Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa" në finalen e shtatë në Kupën e Shqipërisë.
Ishte kapiteni i Besës, Parid Xhihani ai që shënoi i pari, dy minuta pas fillimit të finalen e 55-të Kupës së Shqipërisë.
Teuta reagoi shpejt duke gjetur dhe ajo golin me anë të kapitenit të saj, Daniel Xhafaj gjashtë minuta më pas.
Një lojë e bukur, ku nuk munguan golat, por dhe shtyllat: Elokan për Besën dhe Mancaku për Teutën.
Njëzet minutat e para ishin shumë të gjalla duke dëshmuar edhe grintë sportive nga dy formacionet.
Pas minutës se 30 ritmi ra pasi lojtarët harxhuan shumë energji, teksa strategjia e dy skuadrave ishte ajo me kundërsulm. Gjithsesi Veliaj, Elokan, Nana, Binogol dhe Xhihani ngulmuan shumë në drejtim të portës së Kapllanit, por pa mundor të realizojnë golin e dytë. Në manovrat e mesfushës kavajse u përfshi edhe mbrojtësi shtatlartë Grizha.
Në minutat e fundit, Amarildo Belisha (42') siluroi në mënyrë perfekte një të majtë të fuqishme duke shënuar golin e dytë për Besën, duke mos i lejuar portierit të Teutës, Xhevair Kapllani ta shmangë atë.
Në pjesën e dytë, Besa kishte mundësi të shënonte në minutën e 50 me anë të Binogol, por Kapllani reagoi mirë. Dhjetë minuta më pas (65') Xhihani pati një rast ideal, kur ndërmori një inkursion me kundërsulm në thellësi, por shënuesi i golit të parë, nuk mundi ta shfrytëzonte. Xhihani madje u ca në vetull gjatë një përplasje, u zëvëndësua. Në minutën e 67' ishte Emiljano Veliaj ai që realizoi golin e tretë për Besën. Kur dukej se takimi do të mbyllej me rezultatin 3-1, Teuta shkurtoi diferencën me anë të një autogoli të Grizhës në minutën 87. Pas tre minutave shtesë, gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku mylli takimin që i dha Besës "verdhezi" trofeun e parë në 85 vjet.
Mbyllja e takimit dha dhe verdiktet e fundit të sezonit: Tirana, kampione në Ligën e Kampioneve, Besa fituese e Kupës së Shqipërisë në Kupën UEFA së bashku me Teutën, ndërsa Vllaznia në Intertoto.


Besa-Teuta 3-2
Parid Xhihani 2', Amarildo Belisha 42', Veliaj 67'/ Daniel Xhafaj 8', Grizha 87'(autogol)

Të gjitha finalet e Besës

12- 1961 Partizani-Besa
13- 1963 Tirana-Besa
19- 1971 Dinamo-Besa
20- 1972 Vllaznia-Besa
29- 1981 Vllaznia-Besa
40- 1992 Elbasani-Besa
55- 2007 Besa-Teuta

Fituesit e Kupave
15 Partizani
13 Tirana
13 Dinamo
5 Vllaznia
3 Teuta
2 Flamurtari
2 Elbasani
1 Apolonia
1 Besa

Finalistët e humbur
8 Partizani
8 Flamurtari
6 Tirana
6 Besa
5 Dinamo
6 Vllaznia
5 Teuta
3 Lushnja
3 Skënderbeu
1 Elbasani
1 Albpetrol
1 Tomori