Java e 8-të e Superligës propozon një sfidë shumë intriguese në Kavajë, midis ekipit me mbrojtjen më të mirë në shtatë javët e parë të kampionatit, Besës (1 gol të pësuar) dhe skuadrës me sulmin më të mirë, Apolonisë (13 gola të shënuar). Besa e Apolonia ndajnë vendet 2 e 3 në renditje, me skuadrën fierake që ka 2 pikë më pak se kavajasit: 17, Besa, 15, Apolonia.





Arapi

Mbrojtësi titullar i Besës, Renato Arapi, i cili ka luajtur edhe ne Danimarke me Silkeborgun, tha: “Është një ndeshje shumë e vështirë. Për të qenë i sinqertë, vetëm fitorja na bën punë. “Apolonia? Është një ekip i mirë dhe me një sulm të fuqishëm, por Besa në këto javë ka treguar se ka një mbrojtje të konsoliduar, duke u nisur që nga porta (Shehi). Kemi pësuar vetëm një gol në shtatë javë, dhe do të bëjmë të pamundurën për të mos pësuar me Apoloninë”



Hoti

Apolonia është përpara një prove të madhe force e karakteri në transfertë, kur të përballet me Besën në Kavajë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 8-të të Kategorisë Superiore. “Është një ndeshje decizive për Apoloninë”, - tha mesfushori Erjon Hoti, autori i një dopjete për fierakët në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Teutës. “Ka vlerën e një fitoreje të dyfishtë. 6 pikë direkt me një kundërshtar të fortë”, - shton shkodrani i Apolonisë. Apolonia në shtatë javët e para ka fituar 1 nga tre transfertat e zhvilluara, atë kundër Skënderbeut (3-2), në një takim shumë emocionues në Korçë. “Ndeshja është e hapur dhe i ka brenda të tria rezultatet. Asgjë nuk është e pamundur në sport. Por, në Kavajë nuk do të ishte keq edhe barazimi, pasi Besa është një ekip shumë i mirë këtë sezon. Është një kandidate për titull”, -theksoi 24-vjeçari Hoti.



Kategoria Superiorë

Java e 8-të



Të shtunën, 24 tetor

14:30 Laçi-Vllaznia

14:30 Gramozi-Kastrioti

14:30 Tirana-Teuta



Të dielën, 25 tetor

13:00 Skënderbeu-Dinamo

14:30 Flamurtari-Shkumbini



Të hënën, 26 tetor

14:30 Besa-Apolonia



RENDITJA



1 Dinamo 7 19

2 Besa 7 17

3 Apolonia 7 15

4 Teuta 7 12

5 Skënderbeu 7 9

6 Kastrioti 7 8

7 Tirana 7 8

8 Shkumbini 7 7

9 Vllaznia 7 7

10 Gramozi 7 6

11 Flamurtari 7 6

12 Laçi 7 5





24 Tetor 2009