LEZHE - Sot Shqipëria shënoi përvjetorin e 568-të të Besëlidhjes së Lezhës, ngjarje që shënon mbledhjen për herë të parë në një Kuvend të prijësve shqiptarë me qëllim bashkimin e tyre kundër perandorisë osmane që po përparonte në pushtimin e trojeve shqiptare.

Ceremonia me rastin e kësaj ngjarjeje historike u zhvillua në Lezhë, por mes krerëve të shtetit mungoi Presidenti i Republikës dhe përfaqësues të opozitës, ndërsa ishin të ftuar përfaqësi nga Kosova, Maqedonia,  nga vendi kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Luzim Basha, ministra të kabinetit, ndërsa fjalën përshëndetëse e mbajti kryeministri Sali Berisha. Mosprezenca në ceremoni e Presidentit Topi u shpjegua në një njoftim shtypi nga zyra për shtyp e Presidencës, ku shpjegohet se kreu i shtetit mohoi ftesën në Lezhë, sepse Protokolli i Shtetit i mohoi të drejtën e fjalës përshëndetëse.

Në ceremoninë me moton “Dita e Besëlidhjes”, e mori fjalën i pari kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, i cili theksoi se kjo datë jeton e gjallë në të gjithë mendjet e shqiptarëve. Më pas përshëndeti këtë ditë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.
Te pranishem ne ceremoni, ishin, kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dhe zv/kryeministri Hajredin Kuçi. Në program ishte parashikuar ardhja e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, por ne ceremoni i pranishëm nga Kosova ishte Kuçi dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës. Nga Maqedonia, te pranishem perfaqesues te partive shqiptare, Menduh Thaci e Sulejman Ymeraj.

Besëlidhja e Lezhës, Berisha: Me Skënderbeun fitoi dhe Kosova
Në fjalën e tij me rastin e kësaj date historike, kryeministri Sali Berisha ngriti lart figurën e Gjergj Kastriot, Skënderbeu, Hero Kombëtar. Berisha theksoi se vizioni për liri i Skënderbeut udhëhoqi shqiptarët ndër shekuj duke fituar luftra njëra pas tjetrës, mes tyre dhe clirimin i Kosovës.

“Shqiptarë në këtë vend lidhën besën e kështu vijuan në shekuj, ia dolën dhe u bashkuan në fund të dhjetëvjecarit të shekullit që kaloi për clirimin e Kosovës dhe Kosova është e lirë. Sot ne bashkohemi me gjithë trevat si qytetarët të lirë, në këto troje. Por, ne nderojmë sot veprën më madhore të prijësit tonë legjendar, Skënderbeu. Burri që qëndroi me trimërinë më të madhe ndaj superfuqisë më të madhe të kohës ka frymëzuar shqiptarët, ka sakfrikuar liritë dhe cështjet e tyre. Idealet qe frymëzuan Skënderbeun, frymëzuan shqiptarët. Me parimin e shenjte "një komb një qëndrim" shqiptarët ja dolën të shpallin pavarësine e Kosovës”. U dha zemër Skenderbeu, organizuan kryengritjen më të madhe të Kosovës, u frymëzuan nga Skënderbeu dhe trimëria e tij dhe renditën vendin në koalicionin fitimtar, dhe kjo se është i pavdekshëm Skënderbeu në zemrat e tyre”. 

Sipas Berishës me Besëlidhjen e Lezhës, shqiptarët krijuan shtetin e tyre. "Nderim më thellë për këtë ditë që shënon një nga ditët më të vecanta për të cilën Skënderbeu dhe fisnikët shqiptarë 568 vjet më parë vendosën këtu në këtë qytet të krijojnë shtetin e tyre, të bashkoheshin së bashku për të kontrolluar fuqinë më të madh të kohës që ky shtet fshiu nga harta shtete dhe perandori të tjera. Shqiptarët qëndresë me dekada duke u bërë frymëzim për popujt e tjerë”.

Te pranishmit vendosen me pas kurora me lule ne memorialin e Beselidhjes se Lezhes, ndersa kryeministri me pas mbolli nje peme ulliri ne shenje jetegjatesie.
Me pas një trupë artistike nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit interpretoi një program artistik të larmishëm me nota patriotike. Mësohet se ndër pjesët që u interpretuan janë: "Himni i flamurit" me tekst të Gjergj Fishtës e muzikë të Lec Kurtit; nga opera "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu" interpretohet aria e Skënderbeut "Lirinë s'ua solla unë" nga Erlind Zeraliu dhe aria e Donikës nga Eriona Gjyzeli, si edhe koralja "Po na thërret atdheu o burra"; fragment nga muzika e filmit "Skënderbeu" të Çesk Zadesë e koralja e Pjetër Gacit, "Gryka e Kaçanikut".

Presidenca: Topi nuk pranoi ftesën se i mohuan fjalimin në Lezhë
Presidenca ka reaguar ashpër sot ndaj mosprezencës së Kreut të Shtetit në ceremoninë për përkujtimin e Besëlidhjes së Lezhës. Presidenca shpjegon se Presidenti kishte një ftesë për në ceremoni, por me kusht që të mos mbante asnjë të drejtë fjale, por të ishte thjesht prezencë formale.
“Drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit të Republikës sqaron se: “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi ka marrë ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në përputhje me legjislacionin, praktikat dhe rregullat protokollare të shtetit shqiptar më datë 1 mars 2012, Presidenti i ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe fjalën përshëndetëse Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, e cila gjithashtu është shprehur dakord me këtë praktikë. Në prag të ceremonisë, më datë 2 mars 2012, Kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni”.
Sipas kësaj drejtorie, ky akt është jo vetëm i padenjë, por dhe shkelje e rëndë e normave të Protokollit të Shtetit.
“Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni”.

Sipas Presidentit në këto rrethana, Presidenti e gjykoi të nevojshme që në përvjetorin e 568-të të Kuvendit të Lezhës dhe të nisjes së festimeve zyrtare për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, të komunikonte me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë me mesazhin e cituar në një mesazh video, ku u lexua fjalimi që do të lexohej sot në Lezhë.
"Duke nderuar sot Kuvendin e Lezhës, madhështinë dhe aktet historike të prijësave shqiptarë, Skënderbeun dhe veprën e tij të pavdekshme, kemi detyrimin që sot në Lezhën e bekuar nga Zoti, të shohim së bashku nga e ardhmja, për një bashkim energjish dhe forcash në interes të qytetarëve dhe të vendit. Asnjë më shumë nuk mund të na frymëzojë sa simbolika e Besëlidhjës së Lezhës që politika dhe institucionet e saj vendimmarrëse, - ta përdorin mandatin e tyre me modesti dhe fisnikëri, me përulje dhe përgjegjshmëri; - si një detyrim moral, politik, institucional dhe atdhetar para qytetarëve, vendit dhe interesave madhore të tij", tha Topi nder te tjera ne mesazhin me rastin e 568-vjetorit te Kuvendit te Lezhes.

(d.b/er.nu/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Përshëndetja e plotë e Presidentit me rastin e Kuvendit të Lezhës FOTO: Besëlidhja e Lezhës, Berisha: Me Skënderbeun fitoi dhe Kosova