Ashtu siç ishte paralajmëruar, teksa kryetari i PD Lulzim Basha është duke bërë përgatitjet e fundit për protestën që ka paralajmëruar për në 13 shkurt te Kryeministria, para Parlamentit sot kanë dalë të rinjtë e FRPD-së.


Jo të shumtë në numër, por të mirëorganizuar, ata kanë ironizuar me blerjen e deputetëve të opozitës së re, pasi pretendohet se ata që shkojnë të betohen në siglat e PD dhe LSI janë paguar nga mazhoranca për të plotësuar vakancat.


Gjatë kohës që në Parlament u betuan tre deputetë e rinj të ardhur nga listat shumëemërore të PD, Korab Lita, Arlind Çaçani dhe Halili Jakimi , jashtë sallës janë vendosur  pankarta e banderola kundër qeverisë.


Më pikantja ishte stenda me mbishkrimin parlamenti i krimit, ku të rinjtë kanë hapur ankandin e mandateve.







“Shesim mandate deputetësh, kanë mbetur dhe nja 37 emra pa mbushur, duke qenë se po zgjat ky proces dhe po bëhet në fshehtësi, dolëm haptazi t’i blejmë”, tha njëri prej tyre.


Ndërkohë në kor të rinjtë e FRPD thirrën: Një mandat 300 mijë euro, hajde mandate. Tre mandate 1 mln euro! Hajde mandate se u mbush, hajde mandate se u mbush parlamenti.


Ndërkohë me të betuarit e sotëm, numri i deputetëve në Parlament shkon në 103, por do të shtohet edhe më, pasi Andi Përmeti nga PD në Korçë  dhe Eugen Bojaxhiu nga LSI në Berat kanë kërkuar gjithashtu mandatin.