Në nisje të seancës së sotme parlamentare, janë betuar dy deputetët e rinj të opozitës. Kështu kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, u betua duke zënë vendin e Agron Shehajt, ish-deputet i Vlorës. Ndërkohë Arben Elezi, zuri vendin e Edmond Spahos, si deputet për Elbasanin.


Kryeparlamentari Gramoz Ruçi tha se Amra Barova e LSI, e cila zë vendin e Agron Çelës në Shkodër mungonte, për arsye personale dhe se betimi i saj do të bëhet në seancën e radhës.


Sakaq jashtë Parlamentit, opozita mban protestën e radhës, e cila është shoqëruar me tensione.


Ndërkohë më herët kanë pranuar mandatin e deputetit dhe janë betuar në Parlament, Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Koçiraj (Kapllanaj) nga radhët e LSI, të cilët u betuan në Parlament të enjten e kaluar.


Më herët janë betuar edhe Elda Hoti e LSI, Erdiola Braha e LSI, Edlira Hyseni e LSI dhe Lefter Maliqi, Majlinda Halilaj, Ligoraq Karamelo, Alban Zenelin nga radhët e Partisë Demokratike.


Të parët fare që pranuan mandatin e deputetit ishin Edmond Rushiti, Ylli Shehu, Enver Roshi dhe Ediola Braha nga radhët e LSI.