Në mjediset e Universitetit Politeknik në Tiranë dje u prezantua projekti ndërkombëtar i zhvillimit të bibliotekave Cobiss.net, një projekt i cili synon të ndihmojë bibliotekat shqiptare në arritjen e standardeve evropiane. Ky projekt vjen në një kohë kur gjendja e bibliotekave në vendin tonë lë shumë për të dëshiruar, pasi ato nuk ofrojnë kushtet e nevojshme për lexuesit në pjesën më të madhe të tyre.

Me ambiente në pjesën më të madhe jo të përshtatshme si dhe me mungesë fondesh librash, ky projekt ofron për Bibliotekën Kombëtare ashtu edhe bibliotekat universitare, që ato të jenë të lidhura nëpërmjet internetit me të gjitha bibliotekat e vendeve anëtare të Cobiss. Ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, Alain Bergant u shpreh se ky bashkëpunim mes Sllovenisë dhe Shqipërisë do të jetë një ndihmesë e madhe për vendin tonë në përshpejtimin e proçeseve demokratike, ngritjen e nivelit të përgjithshëm të arsimit dhe sigurimit të dijeve, përmirësimin e shërbimeve publike si dhe forcimin e miqësisë së përhershme mes vendeve tona. Ky projekt arrin në Shqipëri në një kohë të përshtatshme, tha z. Bergant, pasi sipas tij, përkon me fillimin e studimeve pasuniversitare të brezit të dytë për sisteme bashkëkohore bibliotekare, në të cilat parashikohet të futen rreth 20 ose 25 bibliotekarë nga Shqipëria. Përfaqësuesi i MTKRS-ës, Ermir Nika, vlerësoi në fjalën e tij se: Cobiss.net është një nga modelet më të përhapura në rajon, që ofron bashkëpunim dhe shkëmbim eksperiencash mes vendeve anëtare të saj, duke mundësuar bashkëjetesën e kulturave të ndryshme. Projekti Cobiss.net merr parashikon gjithashtu trajnimin e bibliotekarëve dhe ndërmarrjen e shumë investimeve në fushën e bibliofilisë shqiptare. Cobiss, rrjeti i sistemeve bibliotekare, numëron më shumë se 500 biblioteka të anëtarësuara në të në rajon. Në këtë rrjet janë të përfshira aktualisht shtete si Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Sllovenia, Serbia, dhe se fundmi Kosova dhe Shqipëria. Këtë vit bëhen plot 25 vjet që nga krijimi i bibliotekës së parë automatike në Slloveni, të simbolizuar me Cobiss.