Arben Bici nga dita e sotme nuk është më sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit. Numri dy i FSHF-së i kërkoi dorëheqjen presidentit Duka për motive krejtësisht personale, çka u pranua prej këtij të fundit.



Bici, i cili që nga viti 2002 u punësua fillimisht si shef i zyrës së marrëdhënieve me jashtë pranë qeverisë së futbollit shqiptar, në vitin 2004 pas vetëlargimit të ish-sekretarit Sulejman Starova u emërua me bekimin e Dukës fillimisht si i komanduar në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, për t’u zyrtarizuar më pas me funksion të plotë deri në shkurt të vitit 2006.



Pas rizgjedhjes për herë të dytë si president i FSHF-së (Asambleja e vitit 2006), Duka përzgjodhi avokatin Roland Mici, si sekretar të ri, por dhe ky e ndjeu veten më pas një viktimë e një intrige të rëndomtë të korridoreve të ngushta të FSHF-së, duke u larguar nga detyra pas vetëm një viti.



Presidenti i FSHF-së, Duka rithirri në detyrë Arben Bicin, i konsideruar si një nga njerëzit më besnik të tij, por dhe ky dha sot dorëheqjen, sipas selisë të topkëmbës shqiptare, për motive krejtësisht personale.



43-vjeçari Bici është sekretari i tretë i FSHF-së i larguar gjatë “mbretërimit” shtatëvjeçar të Dukës, pas Sulejman Starovës (aktualisht trajner i Teutës) dhe Roland Mici (tashmë në aktivitetin si një nga juristët më të njohur të kryeqytetit).


E Marte, 05 Maj 2009