Bie në korrent, humb jetën punonjësi i sigurisë së Hidrocentralit të Vaut të Dejës. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm. Ka qenë ora 07:00 e mëngjesit kur kolegët që ndërronin turnin me Kujtim Matajn, 41 vjeç nga rrethi i Malësisë së Madhe, e kanë gjetur trupin e tij pa jetë të shtrirë përtokë. Me gjithë ndihmën e parë dhe dërgimin me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, nuk është bërë i mundur kthimi i tij në jetë. Goditja nga korrenti ka qenë tepër e fortë, duke e bërë të pavlerë çdolloj ndihme mjekësore. Sapo është sinjalizuar, në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, që pas dëshmive të para është bindur se ngjarja ka qenë aksidentale. Viktima që kishte pak muaj që punonte në këtë hidrocentral ka qenë duke kontrolluar ambientet e hidrocentralit dhe nga pakujdesia u është afruar më tepër nga ç‘duhet transformatorëve të fuqishëm.