Numri i lexuesve të fondit të librave prej 1.608.512 ekzemplarësh në vitin 2014 ka shënuar rënie për 4.8%. Kështu thotë raporti i sapopublikuar i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Më tutje, ky raport për kulturë tregon se krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve të Teatrit Kombëtar të Kosovës në vitin 2014 ka pasur rritje për 1.3%. Sipas të dhënave të këtij publikimi numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë në vitin 2014 ka qenë 6 premiera dhe 160 repriza, ndërsa numri i shikuesve ishte 7.600.

Ulje të numrit të shikuesve shihet të kenë pasur "Dodona" dhe "Oda". Me 22.141 sosh "Dodona" ka shënuar rënie për 22.9% krahasuar më 2013, ndonëse gjatë 2014 ka pasur 6 premiera dhe 235 repriza, kurse Teatri "Oda" ka pasur 10.415 vizitorë, 4.4 % më pak se në 2013.

Ndërkaq, në Galeritë e Arteve të Kosovës, numri i ekspozitave të realizuara ka qenë 34, ndërsa numri i vizitorëve 12.740. Krahasuar me vitin 2013, numri i vizitorëve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 10.8%.

Më shumë shikues në 2014-tën ka pasur edhe ABC-ja. Kinemaja ka shfaqur 125 filma, prej tyre 17 vendorë dhe 108 të huaj, me gjithsej numër të shikuesve 68.621. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve të kësaj kinemaje në vitin 2014 ka pasur rritje për 35.3%.