
Prokuroria njofton se ka vendosur nën sekuestro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që arrijnë në një vlerë të përafërt prej 45 milionë eurosh.
Zyrtarisht, vitin e kaluar kanë nisur hetimet për 6 skema mashtrimit, ku kryeson ajo e DIA-s me një vlerë mashtrimi prej 10 milionë euro dhe çështja Bechetti me një vlerë prej 40 milionë euro.
Tjetër skemë mashtrimi ishte ajo e skandalit me rimbursimin e ilaçeve, me një dëm prej 2 milionë euro. Në krye të kësaj skeme dyshohet se është drejtuesi i një kompanie private farmaceutike dhe që ka përfshirë në hetime, zyrtare e ish zyrtare të Fondit të Kujdesit Shëndetësor dhe administratorë farmacish.
Prokuroria e Korçës zbuloi një tjetër skemë mashtrimit, me një dëm prej 1.5 milionë euro, në tregun e materialeve interte. Ndërsa në nëntor, prokuroria e Tiranës zbuloi aferën e shmangies së detyrimit ndaj shtetit për shitjen e aksioneve të kompanisë së naftës "Fullpet", me një vlerë prej 500 milionë lekësh të reja.
Në dhjetor, prokuroria e Fierit zbuloi një tjetër aferë në tregun e karburanteve, ku përgjegjës konsiderohet administratori i "Tea Oil", Adrian Xhillari. Vlera e shmangies së detyrimeve ndaj shtetit ishte rreth 2.5 milionë euro.
Një tjetër skemë mashtrimi është ajo në tregun e lojërave të fatit me një vlerë prej 1 milion eurosh. Për këtë janë arrestuar dy administratorë të një kompanie lojërash fati.
/ Shekulli Online /