“Dëboni më në fund grekët nga euroja!”. Revista prestigjoze gjermane “Bild” ka sulmuar kështu Athinën dhe në versionin e saj online ka publikuar fotot që qarkullojnë në Greqi, me kancelaren Merkel dhe ministrin Schaeuble me uniformë naziste.


“Edhe pak duhet që ekonomia e shkatërruar greke të eksportohet jashtë shtetit. Por në një fushë grekët janë kampionë të eksporteve: fyerjet, ofendimet dhe dhuna verbale që përdorin”, shkruan tabloidi gjerman.


“Bild” replikon ndaj fjalëve të përdorura nga presidenti grek Karolos Papoulias, që në ditët e fundit ka sulmuar Wolfgang Schaeuble, si dhe akuzon Greqinë për mosmirënjohje.


Përfundimi i artikullit të ashpër është: “Greqia, vjen koha për t`i thënë lamtumirë euros”. “Gjermania u ka dhënë mbi 20 miliardë euro ndihmë grekëve nga viti 2010 dhe për 30 miliardë të tjerë duhet të vendoset të hënën”, shkruan tabloidi.


“Bild” kujton se kancelarja Merkel dhe ministri i Financave Schaeuble kanë negociuar për një kohë të gjatë dhe sipas saj falenderimi i presidentit grek nuk ishte ai që pritej.