Mesfushori Igli Allmuca, i kërkuar nga gjysma e klubeve elitare të futbollit shqiptar, pranoi ofertën financiare të bërë nga Dinamo, për të qenë edhe për një sezon te 17-herë kampionët e Shqipërisë.
Dinamo do të luajë në Ligën e Kampioneve dhe kjo është një mundësi e mirë për të qenë në fokusin e menaxherëve të huaj, pavarësisht se ish-mesfushori i Partizanit kurrë nuk është thirrur në një ndeshje ndërkombëtare me Kombëtaren A.
27-vjecari Allmuca, dy herë kampion si lojtar me Tiranën (2006-2007) e Dinamon (2007-2008) realizoi katër gola sezonin e kaluar, dy prej të cilëve ndaj Besës së Kavajës.
Pak ditë më parë për Allmucën u fol se kishte një ofertë nga Rusia, por ekipi cecen Terek Grozni – ku aktivizohet portieri Ilion Lika- nuk i ofroi kushte të mira financiare.