Bisedë e Kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter:

Tema e parë është reforma në drejtësi. Ka shumë pyetje për reformën në drejtësi, për ndëshkueshmërinë dhe plagën e "21 janarit". Janë jo të paktë miqtë që pyesin lidhur me çdo të bëhet me vrasësit e "21 janarit", padyshim edhe me tragjeditë e tjera si Gërdecin, por në tërësi me ndëshkueshmërinë e atyre që kanë fituar një status të veçantë në Shqipëri, prej shumë vitesh, si të pandëshkueshëm.

Lidhur me reformën në drejtësi ka pyetje që lidhen edhe me aksesin e njerëzve të zakonshëm në drejtësi, me një kuriozitet apo një padurim të madh e të kuptueshëm për kur fillon zbatimi i reformës në drejtësi dhe sa duhet të presim për të parë fillimin e spastrimit në radhët e gjykatësve të korruptuar. Pra, pastrimin e pallatit të korruptuar të drejtësisë.

Pjesë e kësaj teme është korrupsioni në qeverisjen e administratën e sotme, korrupsioni në shërbime.

Për këtë temë, unë do të thosha se së pari, pikërisht sot pasdite ka një seancë të posaçme të Kuvendit për të kaluar ligjin e vetting-ut, i cili sëbashku me gjashtë ligje të tjera - ligji i vetting-ut është i pari dhe shumë i rëndësishëm - i hap rrugën zbatimit të reformës në drejtësi dhe spastrimit të sistemit nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

Për fat të keq nuk e kemi konsensusin e Partisë Demokratike dhe unë dua të shpresoj deri në fund se Partia Demokratike do të reflektojë dhe do të përpiqet si herën tjetër, ta fshehë se nuk e do në fakt reformën në drejtësi. Me ose pa konsensusin e Partisë Demokratike, ne do të shkojmë përpara. Reforma në drejtësi nuk ndalet dhe këto ligje do të kalojnë me 84 apo më shumë, të shikojmë, votat e shumicës qeverisëse.

Nga ana tjetër dëshiroj të bëj një nënvizim të qartë; sigurisht nga reforma në drejtësi, njerëzit presin me plot të drejtë ndëshkimin e politikanëve të korruptuar, e zyrtarëve të lartë të korruptuar. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është: Sa më të lehtë do ta kenë shqiptarët të marrin drejtësi; Sa më të lehtë do ta kenë ata të cilët kërkojnë prej vitesh një të drejtë që vetëm shitet dhe vetëm mund të blihet; Sa më të lehtë do ta kenë që më në fund ta marrin të drejtën e tyre, pa paguar dhe të mos zvarriten në pamundësi për të paguar, apo të mos shohin që e drejta e tyre të shkojë tek ai që paguan më shumë. Në këtë aspekt, unë kam shumë besim që njerëzit do të fillojnë të ndjejnë lehtësimin barrës së madhe të padrejtësisë.

Reforma do të kërkojë vite. Ajo nuk është një reformë që e bën sot dhe i merr rezultatet nesër, sepse një reformë e tillë nuk ekziston në asnjë sektor.

Aty ku dua të ndalem është korrupsioni në përgjithësi. Sot, Shqipëria nuk është e shëruar, është larg së qenit e shëruar madje, për ta thënë troç, nga korrupsioni dhe patjetër që kjo është një betejë që vazhdon. Unë i qëndroj bindjes se lufta reale kundër korrupsionit është lufta për modernizimin e sistemit, është lufta për të bërë shtet. Nëse do t'i referohemi këtij parimi, atëherë ka shumë përparime, për të cilat të gjithë sëbashku duhet të ndihemi mirë, edhe pse nuk janë të mjaftueshme për t'u ndier mirë në një realitet që vazhdon të ketë probleme serioze.

Mjafton të shohim disa aspekte, se ku ka qenë korrupsioni i gjithëpërhapur dhe çfarë ka sjellë, duke na penguar që deri dje të ishim aty ku meritonim të ishim.

Për shembull, informaliteti i kudondodhur, sot kemi rezultate konkrete. Rezultate konkrete në rritjen shumë të ndjeshme të të ardhurave dhe në uljen shumë të ndjeshme të informalitetit në të gjitha nivelet e biznesit. Këto janë shifra dhe fakte, nuk janë fjalë.

Le të marrim arsimin. Ishte e gjithëpërhapur praktika e pagesës për t'u bërë mësues apo për të qëndruar mësues. Sot nuk është më e lehtë, siç ishte tre vite me parë, për të hequr një mësues, apo për të vënë një mësues. Sot kemi një situatë shumë më të stabilizuar dhe mësuesit janë shumë më të mbrojtur në autoritetin dhe në karrierën e tyre. Sot kemi një sistem klasifikimi për të gjithë ata që duan të hyjnë në trupën mësimore dhe kemi një sistem garancish për të gjithë ata që janë brenda trupës arsimore.

A është kjo mjaft? Sigurisht nuk është mjaft dhe ka ende probleme me korrupsionin, me ryshfetin në nivelet e administratës rajonale apo vendore, në raport me rekrutimin e mësuesve me kontratë të përkohshme, apo me lëvizjet e tyre etj.. Jemi të vetëdijshëm dhe pikërisht se jemi të vetëdijshëm, jemi në gjendje që të vazhdojmë betejën dhe ta çojmë përpara, me rezultate, këtë betejë.

Të shohim ndihmën ekonomike. Ishte një gangrenë, një plagë e madhe që gjeneronte në vazhdimësi dhimbje të mëdha, për shkak të korrupsionit të madh. Një fond i madh për buxhetin modest të shtetit shqiptar, që shpërdorohej në mënyrë kriminale për qëllime politike dhe elektorale. Shpeshherë, ndihma ekonomike i shkonte atyre që nuk e meritonin, ndërkohë që ata që e meritonin liheshin pa ndihmë ekonomike.

Sot ka një sistem që e bën të pamundur futjen në skemën ekonomike të atyre që kanë vila, të atyre që kanë vetura, të atyre që kanë thjeshtë një lidhje tarafi, klani, tribuje me drejtuesin përkatës të pushtetit vendor.

A ka edhe këtu, korrupsion? Patjetër që ka dhe patjetër që kjo është një betejë që vazhdon.

Ashtu si kundër është një betejë që vazhdon edhe korrupsioni në gjithë procesin e jashtëzakonshëm të legalizimeve. Nuk mund të themi sot se nuk ka më korrupsion dhe ryshfet në procesin e legalizimeve, por mund të themi me plot gojën se rezultatet tregojnë se jemi shumë e shumë herë me të sigurt sot, seç ishim deri tre vite më parë. Vetë numri marramendës i legalizimeve të kryera, në raport me tre vjet më parë, fakti që në tre vite është bërë shumëfish më shumë punë dhe shumëfish më shumë legalizime shtëpish sesa në tetë vite, përpara se të nismini ne këtë mandat, flet vetë.

Ashtu siç flet vetë fakti që sot në Shërbimin Civil të Republikës së Shqipërisë nuk mundet të hysh përveçse me konkurs. E vërteta që në një masë ende të konsiderueshme, konkurset përfundojnë pa fitues, ose fituesit e konkurseve janë të tillë pasi kanë dështuar 1, 2, 3 e deri në 6 e 7 herë tregon se nuk kemi të bëjmë me konkurse të parafabrikuara, me konkurse të komanduara nga partitë, siç ndodhte deri para 3 vitesh, por kemi të bëjmë me konkurse reale. Nuk po flas për të gjithë administratën shtetërore, ku ende ekziston problemi serioz i një mungese ekuilibri midis meritës dhe vendit të punës. Por vetëdija se kjo ekziston dhe instrumentet që po prodhojmë për t'u ballafaquar me këtë problem janë një garanci që ne jemi absolutisht në një proces ku edhe këtu, kthesa është marrë në drejtimin e duhur.

Le të marrim Policinë e Shtetit. Kush mund të thotë sot se Policia e Shtetit është policia e ryshfetit që trashëguam deri 3 vite më parë? Nuk besoj se këtë mund ta thonë me plot gojë, njerëzit e arsyeshëm. Sot ka shumë më pak ryshfet, ka shumë më pak korrupsion seç kishte dhe ka shumë më tepër përgjegjshmëri dhe disponibilitet për qytetarin nga ana e Policisë së Shtetit. Mjafton të ballafaqohesh me uniformat blu në rrugë dhe e ndjen menjëherë ndryshimin.

Kam marrë gjatë këtij sezoni, dhjetëra e dhjetëra mesazhe nga shqiptarë që kanë ardhur me pushime, të cilët shprehin konsideratat më pozitive për ballafaqimin me Policinë e Shtetit në rrugët e Shqipërisë. Policia e Shtetit është një model suksesi dhe është një shëmbëlltyrë e funksionimit të reformave, por me siguri, vetëdija se ka ende shumë gjëra për të kuruar, shumë probleme për të zgjidhur, është një garanci që ne e dimë absolutisht se çfarë duhet të bëjmë. Fakti që kemi bërë këto që kemi bërë, jep sigurinë për të gjithë se ne dimë ta bëjmë gjënë që duhet.

Le të flasim për korrupsionin e jashtëzakonshëm që ishte deri dje në sektorin e furnizimit me energji elektrike, se çfarë bëhej me matësit, çfarë bëhej me lexuesit apo me faturat që shënoheshin. Por a ka përfunduar ky proces? Jo, ende nuk ka përfunduar ky proces i pastrimit të skemës nga elementët e korruptuar dhe nga mundësitë, hapësirat e boshllëqet që krijojnë korrupsion.

Procesi i reformës dhe procesi i modernizimit të vazhdueshëm të kompanisë është jo vetëm në drejtimin e duhur, por së shpejti do të bëjë të mundur që të gjithë lexuesit e matësve, - tanimë kemi pajisur me matës që të gjithë dhe kemi hequr aforfenë, më në fund nuk ka fatura aforfe, - të jenë të pajisur me instrumente elektronikë që kontrollojnë kontrollorët. Është e pamundur që me këtë skemë inovative, që do të futet në fuqi në muajt e ardhshëm, lexuesit të bëjnë lodra me matësit, apo me faturën që shkruhej.

Në tërësi mund të themi që janë bërë hapa shumë të rëndësishëm për të çliruar shtetin nga tentakulat e korrupsionit, për të çliruar qytetarin nga kthetrat e korrupsionit deri dje të kudondodhur në çdo pikë kontakti me shtetin. Sigurisht që ka ende probleme të mëdha, që të thëna kështu nuk mjaftojnë, sepse janë probleme që kur i ndjen, apo i përfytyron në nivelin e qytetarit janë të padurueshme në shërbime të ndryshme publike.

Jemi të vetëdijshëm për prapambetjen që kemi në sistemin e shërbimit hipotekor të Republikës së Shqipërisë. Edhe aty po përpiqemi shumë, për të bërë një transformim modernizues që do ta objektivizojë procesin.

Në fund të fundit nuk është çështje njerëzit, është çështje sistemi. Nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, është sistemi që i korrupton njerëzit. Ajo që na duhet është të ndërtojmë sisteme funksionale, që ta bëjnë të pamundur influencën e njeriut në fatin e njeriut të cilit i shërben, apo të cilit i kërkon shërbim.

Një temë tjetër e rëndësishëm është ekonomia. Këtu ka shumë e shumë për të folur, por unë do të fokusohesha tek rrogat dhe pensionet.

Ka një shqetësim që është shqetësimi i parë dhe i gjithhershëm në çdo ditë të punës sime, është shqetësimi i ynë i përbashkët për të shkuar drejt krijimit të kushteve që të rrisim rrogat dhe pensionet. Kjo nuk diskutohet! Por mos harroni nga e nisëm, kjo është shumë e rëndësishme. Në fund të fundit administrojmë një shtëpi që është shtëpia e përbashkët dhe një shtëpi ku pavarësisht pozicioneve, të gjithë me pak mundim mund të vihen në kushtet që të gjykojnë mbi mundësitë që ka kjo shtëpi, për të ngritur ashtu siç do të dëshironim të gjithë, nivelin e shpërblimit dhe nivelin e jetesës.

Një gjë nuk duhet ta harrojmë, që me heqjen e taksës së sheshtë dhe me vendosjen e taksimit të ndershëm, ne kemi rritur vlerën reale të rrogave, d.m.th., kemi rritur realisht rrogën, në kuptimin që kemi shtuar paratë e marra nga rroga, në xhepin e qytetarëve që punojnë në sektorin publik, me 7%. Është një rritje reale dhe për këtë mjafton që çdo kategori të bëjë llogarinë se sa i linte shtetit me taksën e sheshtë kur merrte rrogën dhe sa merr e çon sot në shtëpi, falë taksimit të ndershëm. Ky nuk është një ngushëllim, por fakt.

Ashtu sikundër është absolutisht fakt se njerëzit, - të cilët në shumicë dërrmuese e kanë mbështetur procesin e reformave, me vetëdijen se nuk mund të vazhdojnë për sot e për nesër, edhe 25 vjet të tjera, siç vazhduam 20 e kusur vitet që ikën, - meritojnë që edhe ata, drejtpërdrejtë, në çdo nivel të ndjejnë rezultatin. Ne jemi çdo ditë të shqetësuar për këtë dhe do të punojmë intensivisht që koha e rritjes së rrogave dhe të pensioneve të jetë jo e largët.

Unë e di që shifrat nuk thonë shumë për ata që në fund të fundit e masin ekonominë me buxhetin e familjes së tyre, me çfarë çojnë në shtëpi, me çfarë duhet të shpenzojnë e kështu me radhë. Të mos harrojmë se e nisëm me një ekonomi që rritej midis zeros dhe 1 përqindëshit dhe sot kemi një ekonomi që këtë vit rritet me +3%, pra, 3.1, 3.2, 3.3 apo 3.4% - këtë do ta shikojmë në vijim. Nëse projeksioni është të kemi një rritje midis 3.2% - 3.4%, kjo tregon që kemi një ekonomi që po rimëkëmbet e po rritet.

Jam i vetëdijshëm se kjo nuk është një rritje që mjafton dhe nuk është një rritje që ndjehet në çdo familje e çdo tavolinë kur shtrohet për të ushqyet fëmijët. Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që nuk ka mrekulli që ndodhin sa hap e mbyll sytë. Kush i premton këto mrekulli, thjesht i jep vetëm zë, një dhimbjeje, krejtësisht të kuptueshme, të shumëkujt që nuk ia del dot, por në asnjë mënyrë, jo vetëm nuk i jep zgjidhje kësaj dhimbjeje, por thjeshtë krijon precedentin për ta bërë këtë dhimbje të pafundme.

Edhe punësimi është një temë. Këtu dua të nënvizoj një fakt. Vë re se shumëkush konsideron punësim vetëm punën në shtet dhe i afrohet vetëm shtetit si punëdhënës. Unë vazhdoj të këmbëngul që është me fort rëndësi që ne të fokusohemi dhe të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për të rritur kualifikimin e krahut të punës. Nga ana tjetër është fakt dhe jo një opinion, që në sektorin privat ka oferta për punë nga më të ndryshmet. Nuk bëhet fjalë vetëm për rrogat e ulëta, por bëhet fjalë për rroga të të gjitha niveleve. Nuk është vetëm shteti, përgjigja për këdo që kërkon një punë, por në radhë të parë është sektori privat.

Një temë tjetër është ajo e koalicionit, se çfarë po bëhet me koalicionin, me LSI-në, pa LSI-në.

Unë e di shumë mirë që koalicioni ka shumë mbështetës, koalicioni ka dhe shumë skeptikë, koalicioni ka edhe jo pak kundërshtarë. Koalicioni gjithmonë duhet parë në dy nivele; në nivelin e përditshmërisë dhe funksionimit të tij në të gjithë territorin, ku patjetër që ka plot e plot probleme - këtu flas jo në marrëdhënien ndërpartiake, por në marrëdhënien e administratës dhe e përfaqësuesve të koalicionit me qytetarin - dhe në nivelin e qëllimit dhe objektivit afatgjatë për të reformuar Shqipërinë.

Nëse në aspektin e parë ka shumë gjera për të korrigjuar, ka jo pak gjëra për të kërkuar ndjesë për mënyrën sesi ndërtohen marrëdhëniet me qytetarët në një zonë apo në një zonë tjetër, në nivelin tjetër, pra, në nivelin strategjik, koalicioni i ka bërë dhe po vazhdon t'i bëjë një shërbim të madh këtij vendi, sepse koalicioni është garancia për reforma të mosbëra ose të zvarritura për 20 e kusur vite, për reformat që po modernizojnë Shqipërinë dhe po hedhin bazat për të pasur më në fund, shtet.

Nga ana tjetër, njerëzit e kërkojnë dhe e meritojnë një përgjigje dhe së shpejti, ne do të ulemi në tryezën e koalicionit dhe do të diskutojmë projektin e 4-vjeçarit të ardhshëm, në mënyrë të hapur, krejtësisht konstruktive e në mirëkuptim të plotë dhe do të vendosim sesi do të paraqitemi përpara shqiptarëve për mandatin tjetër. Sot, koalicioni ka edhe një komponent të ri, PDIU-në. Ashtu sikundër, përtej të gjithave, koalicioni ka një mbështetje të gjerë në territor.

Është një diskutim i nevojshëm, duhet bërë serioz, por të gjithëve u them se ky koalicion, në gjykimin e të përditshmes mund të ketë shumë gjëra për të rrudhur buzët, por në gjykimin strategjik meriton njohjen e meritës së madhe se është baza e sigurt e reformave që po transformojnë një herë e mirë Shqipërinë. E reformave që po të ishin bërë 25 apo edhe gjatë 20 e kusur viteve më parë, sot do ishin krijuar kushtet të kishim një Shqipëri krejt tjetër.

Pikërisht se nuk duam të humbim dhe 25 vjet të tjerë me "tërhiq e mos e këput", ne sot jemi në këtë kantier të madh reformash, që kanë filluar të japin rezultate, disa më shumë, disa më pak, disa më shpejt, disa më me vonesë, por me siguri po krijojmë kushtet që Shqipëria e gjeneratës tjetër të jetë një Shqipëri tjetër nga ajo që trashëguam. Në mënyrë që gjenerata e atyre që lindën në vitet '90-të dhe që mund të konsiderohet pa dyshim dhe me shumë dhimbje, një gjeneratë e djegur në shumë ëndrra e shpresa, të mos pasohet nga një tjetër gjeneratë e ngjashme. Gjenerata e atyre që do të jenë në moshën e kësaj gjenerate, të lindur pas rënies së murit, të jetë një gjeneratë që jeton në një Shqipëri europiane, me shtet, me rregulla dhe me sisteme që funksionojnë.

Tema e fundit është një bllok i konsiderueshëm për Rilindjen Urbane. Ka shumë simpati Programi Kombëtar të Rilindjes Urbane, ka shumë skepticizëm dhe me të drejtë, edhe shumë shqetësime dhe pyetje si përse qendrat e qyteteve, pse vetëm qytetet e jo fshati, pse kjo rrugë dhe ajo rrugë, apo se kur do t'i vijë radha rrugës së fshatit tim.

Nuk mund të bëjmë dhe askush nuk mund të bëjë në kaq pak kohë, atë që nuk u bë në 20 e kusur vite. U fillua mbrapsht. U fillua andej nga kurrë ndonjëherë nuk ka filluar punën për vetëvendosjen apo rimëkëmbjen e vet një qytetërim apo një komunitet. Çdo komunitet, çdo qytetërim, çdo rimëkëmbje urbane dhe shoqërore, ekonomike dhe sociale fillon nga qendra, e cila krijon komunitet dhe bashkëjetesë.

Imagjinoni sikur të gjithë qendrat e qyteteve tona të ishin ndërtuar apo rindërtuar, për t'ju adaptuar modelit të ri të jetesës që zgjodhëm pas rënies së diktaturës. Sot nuk do të kishte mbetur fshat pa u rindërtuar nga pikëpamja e infrastrukturës.

Përfytyroni sikur të mos kishte kaluar gjithë kjo kohë me arna, duke bërë e duke zhbërë, duke hedhur astalte që iu del tabani kur mbaron fushata, sa shumë para të shpenzuara të ishin çuar aty ku duhet të çoheshin, me një rend gjërash. Ne kemi filluar punën me një rend. Sigurisht që nuk kemi 25 vjet kohë për të provuar të kundërtën e asaj që provuan 20 e kusur vite. Ajo që është e rëndësishme është të vendosim bazën mbi të cilën, mandat pas mandati dhe pastaj, forcë pas force të ngrihet Shqipëria që duam, Shqipëria e gjeneratës tjetër.

Vërtetë kemi bërë qendrat e qyteteve dhe po shtrihemi në disa akse përtej qendrave, - praktikisht qendrat janë drejt përfundimit në thuajse të gjitha bashkitë e reja të Shqipërisë, - por kemi financuar paketën më të rëndësishme dhe më të madhe financiare për ujitjen në fshat. Këtë sezon ka shuar uji në toka që nuk ujiteshin prej 20 e kusur vitesh, falë reformës territoriale dhe falë reformimit të brendshëm të sistemit të administrimit të punëve të fshatit.

Është një proces që vazhdon dhe mund të gjejmë sa të duam arsye për të thënë se kjo apo ajo nuk shkon, por e vërteta është që kthesa është e dukshme për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe e kuptueshme për të gjithë ata që kanë vesh për të dëgjuar.

Brenda kësaj teme, për të mbyllur këtë përmbledhje, në mënyrë që askush nga ata që kanë pyetje të mos ndihet i përjashtuar nga vëmendja, për shkak të aktualitetit është edhe tema e Dibrës. Kam parë mesazhe pas mesazhesh, duke qenë se ka një fushatë vendore në Dibër, shqetësimin që përse bëhet tani bulevardi kryesor, apo pse ka filluar tani Rilindja Urbane në Dibër. Por kur të fillonte Rilindja Urbane në Dibër?! Është një spekulim i madh dhe një tallje e madhe për publikun, ajo që po përpiqet të thotë kundërshtari se ne e hapëm kantierin tani që filloi fushata.

Jo! E vërteta është se kantieret nuk hapen më siç hapeshin dikur, kur fillonin fushatat. Kantieret hapen pasi bëhet një projekt, pasi projekti merr aprovimin, pasi bëhet një procedurë konkurrimi dhe pasi nënshkruhet një kontratë. Deri në vitin 2015, kur u bënë zgjedhjet e reja për Bashkinë e Dibrës, ne nuk kemi marrë asnjë projekt nga bashkia e dikurshme e Dibrës. Ndaj dhe nuk kemi mundur të financojmë asgjë tjetër, përveç atyre që ne kemi financuar nga programi kombëtar për rilindjen në arsim dhe kemi financuar ndërtime dhe rindërtime shkollash në të gjithë territorin. Janë 126 projekte. Kjo është arsyeja.

E dyta, rruga e Arbrit. Kundërshtarët tanë thonë që e lanë gati rrugën për ta filluar. Kush është ai budalla që mund të besojë që kjo qeveri ose cilado qeveri i ka mundësitë financiare për ta bërë një rrugë dhe nuk e bën!

Arsyeja përse rruga e Arbrit nuk filloi, ishte së pari, sepse kundërshtarët tanë nuk lanë absolutisht asgjë në tavolinë. Lanë vetëm një marrëveshje në parim me qeverinë kineze, për të marrë borxh. Ndërkohë ju e dini shumë mirë që ne nuk e kemi nisur mandatin tonë qeverisës me mundësi për të marrë borxh, por, përkundrazi, e kemi nisur mandatin tonë qeverisës me detyrimin për të shlyer një mal të tërë borxhesh ndaj kompanive të rrugëve dhe me angazhimin për të filluar një proces uljeje të borxhit publik. Faktikisht, viti i shkuar ishte viti i parë kur filloi ulja e borxhit publik, i cili vazhdon këtë vit dhe do të vazhdojë vit pas viti, për të shkuar drejt objektivave të vendosur për normalizimin e borxhit publik.

Ne kemi negociuar me qeverinë kineze një formulë tjetër; jo borxh, por Partneritet Publik Privat. Kjo është bindja jonë, ky është instrumenti tek i cili ne besojmë. Përmes Partneritetit Publik Privat, ne do të vazhdojmë të bëjmë sa të mundemi investime në të mirë të njerëzve, pavarësisht se propaganda e ulët e kundërshtarëve apo e atyre që flasin, por nuk dinë çfarë flasin, e kanë kthyer Partneritetin Publik Privat në një fjalë që tingëllon si shfaqet e huaja dikur, koncension.

Me qeverinë kineze kemi negociuar shumë fort, jemi akoma në negociata për të arritur në terma të arsyeshme, në mënyrë që vërtet të financojmë dhe të ndërtojmë rrugën e Arbrit dhe ne do ta ndërtojmë rrugën e Arbrit, por nga ana tjetër, këtë ta bëjmë në mënyrë të atillë që të mos krijojmë gropa të reja dhe të mos hyjmë në aventura si ato që na çuan drejt kolapsit të vitit 2013.

Duke parë se vazhdojnë pyetjet dhe interesimi, me shumë dëshirë po kaloj tek pyetjet, ndërkohë që stafi teknik po punon për hedhjen e përgjigjeve të përgatitura nga pyetjet e mëparshme, që të kënaqim sa më shumë nga ata që kemi pasur nderin t'i kemi në këtë bashkëbisedim.

- A ka diskriminim në investime të qeverisë suaj veri e jug?

Ky është një mit. Një mit i ngritur në mënyrë hileqare dhe që nuk korrespondon me të vërtetën. E vërteta është se deri në vitin 2015 - unë e kam thënë publikisht - nga bashkitë që drejtoheshin nga eksponentë të Partisë Demokratike, ne nuk kemi marrë as edhe një projekt. Zero!

Dhe Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane është një program në mbështetje të komuniteteve përmes bashkive. Janë bashkitë që aplikojnë. Nuk është qeveria që bën projekte dhe që imponohet sesi do të bëhet sheshi këtu e atje dhe kur do bëhet. Qeveria ka një skuadër të tërë që i asiston, që ndihmon në përmirësimin e projekteve, që trajnon për mënyrën sesi duhen hartuar projektet e kështu me radhë.

Pas zgjedhjeve të vitit 2015 ka ndryshuar pozitivisht qasja, ndonëse jo të gjithëve, e një sërë kryetarëve të Partisë Demokratike. Faktikisht, brenda pak ditësh nis projekti i transformimit të gjithë qendrës së Bashkisë së re Tropojë, në qytetin e Bajram Currit; Nis projekti i transformimit të qendrës së Bashkisë së re të Vaut të Dejës; Projekti i transformimit të qendrës së Kukësit është punë e kryer dhe është në veri; Në Malësinë e Madhe, ku kemi pasur një ndërveprim shumë intensiv me pushtetin vendor, kemi bërë ndërhyrje të rëndësishëm dhe tani fillojmë punën dhe kjo është një bashki në veri të Shqipërisë; Në Has nis puna për qendrën e Bashkisë së re të Hasit; Në Bulqizë, kjo gjë ka ndodhur; Qendra e Lezhës, gjithashtu në veri, është një qendër tanimë e transformuar në një nga qendrat më të bukura të Shqipërisë, siç e meriton ai qytet që deri dje u la krejtësisht në harresë.

Pra, e vërteta është krejt e kundërta dhe unë mund të numëroj një për një të gjitha bashkitë që janë në zonën e veriut, që kanë aplikuar dhe kanë marrë mbështetje të plotë.

Ndërkohë po të shohim Programin e Rilindjes Urbane në arsim, harta e shkollave të rindërtuara është absolutisht në të gjithë territorin.

Kështu që kjo teori e diskriminimit është një fabul e vjetër, që përsëritet vazhdimisht, me qëllimin e vetëm për të vazhduar për të mbajtur gjallë një frymë përçarjeje dhe për të vazhduar për të mbajtur lidhur pas votues në emër të veriut kundër jugut, në emër të këtij kundër atij. Nuk ka asgjë të vërtetë!

Faleminderit për pyetjen se vlente një shpjegim shterues. Edhe shifrat flasin shumë qartë. Ne kemi mbështetur e do të mbështesim pushtetin vendor, sepse mbështesim në fakt, një reformë që e bëmë ne, reformën administrativo-territoriale që është reforma e modernizimit të nivelit të dytë të qeverisjes, pas 20 e kusur vitesh batërdi, katrahurë, katastrofë.

- Si është e mundur që edhe pas tre vitesh në pushtet nuk është miratuar ligji kundër lojërave të fatit?

Në fakt, kjo është e pavërtetë. Ligji është miratuar dhe ka hyrë në fuqi. Ndoshta dobësia apo "faji" ynë është që informimi i publikut dhe i qytetarit në fjalë nuk ka qenë i duhuri.

- Kur do të marrim përgjigje nga institucionet shqiptare, se në katër raste kam dërguar e-mail dhe asnjë përgjigje.

Mund t'ju them se ne kemi një sistem që për hir të së vërtetës ka qenë edhe më parë në Kryeministri, por që ne e kemi modernizuar dhe përmirësuar në mënyrë shumë të ndjeshme dhe Kryeministria e i kthen përgjigje çdo qyteti, për çdo ankesë dhe çdo kërkesë.

- Sa serioze është qeveria në luftën kundër kultivimit të kanabisit?

Sigurisht që qeveria është serioze në luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe sigurisht që kjo është një betejë, e cila hiri i të vërtetës e do që të thuhet se nuk mbyllet dot sa hap e mbyll sytë, por një betejë ku ne vumë një gur të rëndë themeli, shkallmuam "republikën e turpit" në Lazarat.

Ka një teori që është teoria e kundërshtarëve tanë, të dëshpëruar, që në mënyrë të vazhdueshme provojnë se janë në një rrugë dëshpërimi, pasi faktikisht nuk kanë asnjë vizion, asnjë ide të re, program jo e jo, kanë atë të vjetrin, d.m.th të kthehemi tek taksa e sheshtë, madje edhe më keq, nga 10 ta bëjmë 9, pra, t'i biem edhe më shumë me top, siç i ramë, të gjithë atyre që fitojnë më pak i t'i bëjmë të paguajnë më shumë se ata që fitojnë më shumë. Po ashtu nuk kanë lidership, edhe ky është fakt. Unë kam pasur rastin ta shoh nga afër gjatë reformës në drejtësi që Partia Demokratike nuk ka lider. Ndaj vazhdon prodhon e riprodhon teoritë sensacionale të konspiracionit që gjithë Shqipëria është mbuluar me kanabis. E vërteta është që jo! Fatmirësisht nuk jemi vetëm. Punojmë me partnerë dhe jemi pjesë e një procesi që na ka vënë në lupë, procesi i integrimit europian dhe nëse do të ishin të vërtetë këto, nuk do të ishim sot më pranë se kurrë, çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Lufta është reale, është serioze, është e vështirë dhe zhvillohet vit pas viti, me të njëjtën vendosmëri që u shkul "republika e turpit" në Lazarat.

- Mendoni se qeveria po bën mjaft për mbledhjen e nektarit turistik, tani kur janë mbyllur vende të njohura turistike?

Qeveria po bën të gjitha përpjekjet, por të mos harrojmë që kemi trashëguar një vend me imazh të rrënuar, një vend me mosbesim të madh nga ana e investitorëve të huaj dhe jemi në një proces rikuperimi të qëndrueshëm. Po përgatitemi për investime të rëndësishme edhe në turizëm. Për herë të parë, Shqipëria pas 25 vitesh ka një Plan Kombëtar Zhvillimi, ka një mbrojtje shumë më të sigurtë të vijës së vet bregdetare, nuk është vendi ku ndërtohet pa leje, sipas qejfit. Sot, ndërtimi pa leje është një shfaqe shumë e rrallë e sporadike, por bregdeti është shumë i mbrojtur, krahasuar me tre vjet më parë. Sigurisht jemi të kënaqur me faktin që kemi pasur një rritje të mëtejshme të volumit ekonomik e financiar si rezultat i turizmit, por po ashtu jemi të vetëdijshëm se kërkesa për të ardhur në Shqipëri, këtë vit ka qenë 25% më shumë sesa mundësitë që ofron Shqipëria në shtretër dhe akomodim. Sikundër jemi të vetëdijshëm se duhet të kalojmë në një nivel tjetër të turizmit, sidomos në zonat ende të pashfrytëzuara, ku duhet të investojmë për cilësinë më të lartë dhe jo për turizmin masiv, që sjell pak të ardhura dhe shkatërron shumë nga pikëpamja ambientale.

- Sa janë të sinqerta lidhjet ekonomike mes Kosovës e Shqipërisë?

Kjo është një pyetje që unë i përgjigjem, por në fakt as nuk shtrohet, sepse ne po bëjmë një përpjekje të madhe, të vazhdueshme dhe shifrat e shkëmbimeve tregtare flasin vetë. Do të vazhdojmë të shkojmë drejt rrugës së shkrirjes së plotë të kufirit nga pikëpamja e shkëmbimeve të të gjitha niveleve dhe natyrave, duke filluar nga bashkëpunimi ekonomik e shkëmbimet tregtare.

- Ka një pyetje për sektorin e naftës, me fokus atë që prej një kohe tanimë të gjatë, për ata që janë atje, është shfaqur edhe publikisht si një plagë e rëndë, përpunimi i naftës në vend, në Fier e Ballsh.

Lajmi i mirë është se më në fund, qeveria ka bërë të mundur zgjidhje e këtij problemi dhe futjen në punë të rafinerive, duke garantuar që atë çka morëm përsipër, se do të luftonim ditë përditë që të rivinim në punë rafineritë, bëhet realitet. Investitorë të huaj seriozë janë përfshirë në këtë proces dhe për 1200 punëtorët që shikoni me dëshpërim nga qielli dhe me frikën e madhe se do të mbeteshin rrugëve është gjetur më në fund zgjidhja.

- Ka disa pyetje, por po i referohem njërës prej tyre, lidhur me Rrugën e Kombit dhe me koncesionin apo Partneritetin Publik Privat, siç dëshiroj unë ta quaj, për përfundimin e rrugës dhe mirëmbajtjen e saj. Ndërkohë që një pyetje është për 5 euro haraç në doganë në Morinë, flitet për ryshfet.

Nuk jam në dijeni për këtë, nuk përjashtoj që të ketë edhe raste të tilla, por këto nuk janë rregulli, faktikisht, pasi doganat janë nën monitorim shumë të rreptë dhe nga disa sy.

Përsa i përket rrugës duhet të jemi shumë të vetëdijshëm që ajo rrugë duhet të përfundojë. Shteti nuk i ka paratë dhe nuk mund t'i ketë për të përfunduar rrugën. Rruga që u inaugurua me tamtame, u inaugurua e papërfunduar dhe mungojnë vepra dhe punë për një volum më shumë sesa 100 milionë. Ashtu sikundër rruga kërkon një mirëmbajtje të përvitshme dhe siç bëjnë të gjitha qeveritë e arsyeshme në Europë e kudo, ne kemi zgjedhur Partneritetin Publik Privat për këtë, sepse është më e rëndësishme jeta e njerëzve që aksidentohen dhe që rrezikojnë të humbin jetën vazhdimisht kur kalojnë atë rrugë, sidomos gjatë motit të keq. Sigurisht është më e rëndësishme të përfundojë një vepër që, nëse nuk përfundon, do të vazhdojë të degradohet dhe nëse nuk mirëmbahet, do të kushtojë shumë më tepër nesër.

Për këto arsye, vendimi për të shkuar drejt Partneritetit Publik Privat është vendimi i duhur. Ashtu sikundër ne do të shkojmë drejt Partneritetit Publik, Privat në çdo aspekt, në çdo sektor, sepse nuk jemi as më të fortë se Gjermania dhe nuk jemi as të ndryshëm për nga forca e arsyes nga shumë vende të tjera të përparuara, të zhvilluara, me fuqi shumë më të madhe ekonomike, që Partneritetin Publik Privat e kanë kthyer në instrumentin kryesor për të ndërtuar infrastrukturë sociale, infrastrukturë rrugore, për të liberalizuar e rritur cilësinë e shërbimeve publike.

- Rruga Berat-Terpan kur do të bëhet, është për faqe të zezë?

Ka plot rrugë të Shqipërisë që janë për faqe të zezë, sepse u bë një zullum e rrokopujë e madhe, pa rend, pa llogari e mbi të gjitha pa moral, për të shitur një Shqipëri që nuk mundej dot të bëhej realitet në kohën e fushatës elektorale. Për qëllime të fushatës elektorale të vitit 2013 u çelën qindra projekte pa lekë, u lanë plot borxhe në kurriz të qeverisë sonë dhe ndërkohë shumë vepra mbetën pa financim. Ajo që ne kemi bërë, ka qenë që të bëjmë çmos të përfundojmë projektet kryesore.

Mos harroni se nuk është vetëm çështja e parave, por edhe çështja e projekteve. Projekte skandaloze si projekti i rrugës Tiranë-Elbasan, pa studim gjeologjik, rrëshqitje të mëdha të dheut që krijuan nevojën për të shtuar financimin. Pra, rruga që i ranë për shkurt e i ranë për lirë, doli gjatë dhe shumë më shtrenjtë. E patjetër me kontrata absolutisht skandaloze, që gjithmonë favorizojnë privatin dhe e bëjnë të pamundur për shtetin që të reagojë, siç është kontrata e by-pass-eve.

Kështu që hiri i të vërtetës e do të thuhet se ne kemi ndërtuar 207 kilometra rrugë të reja dhe jo asnjë kilometër rrugë, siç thuhet. Ky është fakt!

Deri në fund të vitit të ardhshëm do të vazhdojmë drejt përfundimit të një sërë aksesh kryesore. Nga ana tjetër do të çelim projekte të reja, por gjithmonë pa i futur duart në xhep, gjeneratës tjetër.

- Pse gënjyet për stadiumin "Loro Boriçi", - pyet Albania Team.

Nuk e di kush është Albania Team, por mund t'i them se nesër zhvillohet ndeshja miqësore midis Kombëtares tonë dhe asaj të Marokut dhe çel dyert stadiumi i ri "Loro Boriçi".

Kujtdo që dëshiron të shikojë një shëmbëlltyrë kuptimplotë të Shqipërisë së gjeneratës tjetër, do t'i thosha, je apo s'je tifoz, eja në stadium, sepse do të marrësh një kënaqësi të jashtëzakonshme nga një vepër që nuk ka asgjë mangët nga të paktën stadiumi që unë pashë në Kampionatin Europian, stadiumi i ri i Lensit, nga pikëpamja e të gjithë komfortit që krijon për skuadrat, për gazetarët, për spektatorët.

Sigurisht është një vepër që nuk është vetëm futboll, por edhe një qendër që mund të kthehet në një qendër të rëndësishme të jetës urbane të Shkodrës, shtatë ditë me radhë, nëse do të jetë mençuria dhe zotësia për ta administruar si duhet.

- Po rruga Belsh-Cërrik dhe për qendrën e Belshit kur do të fillojnë punimet?

Qendra e Belshit ka filluar. Ndërkohë që rruga është një prioritet i yni. Gjithmonë dua t'ju rikujtoj se nuk është çështje dëshire, por mundësish dhe çështje rregullimi i një sistemi të shkatërruar të ideimit, projektimit, kontraktimit, financimit e me radhë, të të gjithë infrastrukturës tonë rrugore.

- A ka më shumë nevojë për bashkëpunim kulturor mes Kosovës e Shqipërisë?

Nevoja për bashkëpunim kulturor nuk mbaron kurrë dhe kurrë nuk mund të thuhet mjaft, jo vetëm mes Kosovë e Shqipërisë, por mes të gjithëve. Bashkëpunimi kulturor është një nga gurët e themelit të rrugës sonë të përbashkët të shqiptarëve. Ne kemi ndërtuar një kalendar të përbashkët kulturor. Sot ka shumë më tepër shqiptarë të Kosovës që konsumojnë kalendar kulturor në Shqipëri dhe anasjelltas, shumë shqiptarë të Shqipërisë që shkojnë në Kosovë. Ashtu sikundër kemi zhvilluar edhe projekte të përbashkëta. Por nuk është kurrë mjaft dhe nuk mund të them dot se kemi bërë aq sa duhet, shumë më tepër duhet të bëjmë.

- Rrugët nuk janë të gjitha sipas standardeve që duhen...

Absolutisht edhe ky është një problem. Parafytyroni këtë gjë, nga hyrja në Shqipëri nga Mali i Zi, në Murriqan deri në dalje poshtë në Kakavijë, segmenti ka 26 standarde. Është njësoj si t'i presësh një njeriu kostum me 26 masa të ndryshme. Parafytyroni si mund të duket një kostum i tillë, që mëngët t'i ketë large, gjoksin - short, pantallonat - medium dhe pjesë të tjera të kostumit në masa të ndryshme. Kjo është Shqipëria infrastrukturore që ne kemi trashëguar, të dashur miq! Sigurisht nuk është justifikim, por është arsyetim, për të kuptuar sesa shumë plagë duhet të trajtojmë, të kurojmë dhe të shërojmë.

Ka shumë pyetje që bëhen për Saliun, por unë Saliut i kushtoj kohë vetëm të enjten në parlament dhe madje edhe atë kohë, do t'i kërkoj ndjesë shumëkujt, nëse ia fal pa kursim.

- Pse Presidenti po kthen kaq shumë ligje të miratuara nga parlamenti?

Unë nuk dua të bëj koment për këtë. Puna e Presidentit dihet.

- Pyetje për devijimin e mëtejshëm të Radikës.

Kjo është një çështje e ezauruar dhe kjo ishte një nga ato legjendat që u krijuan për të krijuar amulli. Për shkak të mungesës së vizionit, ideve, programit, lidershipit oburra t'i hedhim shqiptarëve sa më shumë nga ky lloj ushqimi për t'i çoroditur dhe për t'i tërhequr pas vetes.

- Si ka mundësi që çdo reformë e kësaj qeverie nis bujshëm, por nuk përfundon kurrë?

E vërteta është që asnjë reformë nuk është lënë pas. Reformat sigurisht që nuk përfundojnë si një sezon turistik. Reformat kanë faza, reformat kërkojnë kohë dhe janë një proces që vazhdon.

- Çfarë do të bëhet me ato ndërtime që janë në hapësira publike?

Ka ndërtime që janë në hapësira publike që janë legalizuar apo që iu është dhënë leja në hapësira publike dhe janë hipotekuar. Këto tanimë zyrtarisht janë prona të atyre që i posedojnë pavarësisht se i posedojnë për shkak të akteve dhe vendimeve kriminale të administratave apo pushtetarëve dhe qendrorw të mëparshëm. Si të tilla, ato vetëm mund të shpronësohen. Kemi bërë plot shpronësime për interes publik dhe do të vazhdojmë të bëjmë, por përsëri këtu nevoja është shumë më e madhe sesa mundësitw që kemi.

- Çfarë ndodhi me agjencinë angleze që po merret për të realizuar rankimin e universiteteve shqiptare?

Jemi në një bashkëpunim dhe puna vazhdon. S'ka ndodhur asgjë, gjithçka po ecën sipas programit.

- Ka një tekst me germa të mëdha: "FATKEQËSISHT EKONOMIA E SHQIPËRISË ËSHTË MË INFORMALJA NË EUROPË. MOSARRITJA E NJË MARRËVESHJE ME FMN...,"

Kjo nuk është e vërtetë. Nuk ka asnjë mosarritje marrëveshjeje me FMN.

- Në vend të masave shtrënguese dhe kontrollit të rreptë a keni shqyrtuar ndonjë alternativë tjetër si emancipimi i shoqërisë?

Të gjitha këto shkojnë bashkë dhe sigurisht që kemi trashëguar një ekonomi, më informalen në Europë, por ju siguroj që nga pikëpamja e fakteve dhe shifrave, çka kemi bërë në këtë periudhë 3 vjeçare, jo vetëm në këtë vit të fundit, kundër informalitetit nuk është bërë në 20 e kusur vite të marra sëbashku.

- Reforma në sistemin energjetik.

Është një proces që vazhdon. Ajo çka unë doja të nënvizoja është që është një reformë rezultatet e të cilës njerëzit po i ndjejnë.

Deri vjet, prej shumë vitesh, të gjithë ata që kanë pushuar në jug e kujtojnë, por edhe të gjithë ata që mund të kenë ndjekur lajmet mund të kujtohen, ka qenë një problem i madh çështja e furnizimit me energji në këtë zonë gjatë të gjithë sezonit turistik. Keni dëgjuar gjë këtë vit? S'keni dëgjuar, sepse është zgjidhur. Wshtë zgjidhur sepse është investuar. Wshtë investuar, sepse kemi bërë pikërisht atë reformë të dhimbshme, që e bëmë të gjithë sëbashku, që i ka ulur humbjet e kompanisë në minimume historike dhe po çon drejt zerimit të vjedhjeve. Për sa i përket humbjeve teknike, ato do të kompensohen vazhdimisht me investime të vazhdueshme në këtë sektor.

- A është e mundur të ndryshohet ligji dhe gjykatësit të jenë të huaj?

Unë besojë se Shqipëria i ka gjykatësit dhe prokurorët që i duhen për të zbatuar Reformën në Drejtësi. Mjafton të çlirojmë "Pallatin e Drejtësisë" nga të korruptuarit që e sundojnë atë pallat dhe t'u japim mundësi gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm, njerëzve me integritet dhe profesionistë që të bëjnë detyrën e tyre. Unë jam i bindur për këtë!

- Cilat janë prioritetet e qeverisë pas miratimit të Reformës në Drejtësi?

Reforma në Drejtësi është një proces. Ne do të miratojmë sot ligjin e vetting-ut, si dhe do të miratojmë 6 ligje të tjera që janë shumë të rëndësishme, pra ato 7 ligjet e famshme për të cilat kanë dëgjuar të gjithë pas ndryshimeve kushtetuese. Ka plot e plot ligje të tjera, por ndërkohë reforma do të fillojë të zbatohet pikërisht me procesin e vetting-ut dhe në bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe BE dhe me misionet e tyre të specializuara.

Ndërkohë që, punët tona të përditshme janë ato që na japin mundësi të vëmë çdo ditë një tullë për të ndërtuar murin e objektivit tonë afatmesëm dhe afatgjatë. Objektivi ynë në afat mesëm është që të çelim negociatat dhe të kemi një proces të suksesshëm.

Objektivi afatgjatë është që ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE. Por, kjo nuk është do të thotë thjeshtë ajo që thotë fjalia, por do të thotë të bëjmë shtetin tonë. Për këtë arsye, në çdo aspekt, ka ende jashtëzakonisht shumë për të bërë.

- Aeroporti i jugut?

Ne kemi bërë një përpjekje të gjatë, një punë të lodhshme, të mundimshme dhe më në fund kemi çliruar vendin nga ngërçi i ekskluzivitetit që kishte kompania që mori dhe administron aeroportin "Nënë Tereza". Është krijuar hapësira për të ndërtuar aeroporte të tjera. Jemi duke punuar intensivisht qoftë për aeroportin e Vlorës, qoftë për atë të Sarandës. Nëse deri përpara disa kohësh këto ishin "ëndrra në diell", sot janë plane konkrete në tryezën e qeverisë.

- A do të bëhet një reformë si ajo e energjisë për ujin e pijshëm dhe kanalizimet?

Po! Është një reformë që ka nisur, qasja është e ndryshme nga ajo e energjisë. Është më graduale, për arsye të mirëkuptueshme, por reforma ka nisur. Kjo do të shkojë hap pas hapi në ndërveprim me pushtetin vendor.

- Keni punuar fort për të ulur borxhin. A duhet të jeni më fleksibël dhe paratë të shkojnë për investime?

Sigurisht që kur thua që a mund të jemi më fleksibël nënkupton që a mund të rrisim përsëri borxhin? Ne besojmë që duhet të vazhdojmë të ulim borxhin siç kemi nisur dhe duhet të gjejmë me shumë zgjuarsi dhe vendosmëri rrugët alternative. Rrugët alternative janë partneriteti publik-privat dhe format e kombinuara të bashkëpunimit me sipërmarrjen. Nuk ka shumë për të shpikur në këtë aspekt.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Ndërkohë në Facebook dhe Twitter do të vazhdojnë të rrjedhin përgjigjet për pyetjet për të cilat me shumë respekt kemi konsideruar dhe marrë informacionin e plotë për t'jua kaluar juve.