Nuk e di nëse ti apo ndonjë nga kushërirat e tua e pyeti gjyshin pse nuk mori pjesë në olimpiadë që të fi tonte një medalje në disiplinën që e ka shpikur vetë! Por unë po të drejtohem ty e dashur Medina, pasi emri yt më pëlqen për atë që përfaqëson. Ai vjen nga qyteti ku është varrosur Muhameti. Më përpara ishte vëndbeteja ku neofitët të udhëhequr nga profeti i ri thyen të pafetë. Kjo tregon përkushtimin e thellë fetar të familjes tënde, e cila ka zgjedhur një emër kaq kuptimplotë, në mes të një mase të madhe bashkëkombasish të feve të ndryshme, të cilët nuk shquhen për xanxë fetare. Uroj që kjo të jetë bërë për devotshmëri ndaj mësimeve të fesë, dhe jo si bigotëri, ves i atyre që besojnë në zotat e rremë, por për sy e faqe ju falen të vërtetëve.
Një ndër thëniet që ka feja jote dhe imja bashkë, është “mos vidh”. Si në gjithë besimet, është mëkat i pafalshëm. Por këtu hajdutët tashmë jo vetëm që nuk i vrasin e as ju presin dorën, por me pak pare dalin nga burgu, e me pak fat, ku fat quhet të njohësh gjyshin tënd, i bëjnë ministra. Kjo sipas fesë, është shenjë e zvetënimit të një populli. Nuk e di nëse gjyshi yt ka vjedhur apo jo. Kur të rritesh, shumë gjëra do zbulohen, dhe shumë njerëz do flasin. Uroj që atë ditë, ty mos të vijë turp për gjyshin. Të paktën sa i takon hajdutllëkut.
Shpresoj që kur të jesh bërë e madhe ta lexosh Kuranin. Bashkë me Dhjatën e Vjetër dhe atë të Re, janë libra të mrekullueshëm. Në to flitet për gjyqtarë që për të ruajtur veten dhe privilegjet, nuk jepnin drejtësi. Tregojnë si drejtësia e vënë në shërbim të pushtetit, ka sjellë zvetënim, luftëra e mjerimin. Sodoma dhe Gomora; viçi i artë; tregtarët e paskrupuj që vetë Muhameti, Profeti yt dhe imi i luftoi, janë shembuj që përsëriten dhe njerëzia prapë nuk ngul në mënd mësimin se shoqëritë nuk mund t’i falen vetëm parasë, dhe për hir të saj të nëpërkëmbin të drejtën, të vobegtin dhe pafuqishmit. Nuk e di sa nga ato për të cilat akuzohet gjyshi yt janë të vërteta, por kam frikë se mëkati ka zënë vënd në shpirtin e tij. Dhe nuk është i ndershëm, vetëm se nuk e kanë dënuar gjykatat, pasi siç të tregova, gjykatat ndodh që nuk japin drejtësi. Uroj që kur të jesh rritur e kuptosh, bota të ketë më shumë drejtësi dhe politika t’i trëmbet prapësive që bën. Në të kundërt ky vënd do të zhbëhet, dhe paratë që thuhet se grumbullon gjyshi yt për ty, vëllain dhe kushërirat, nuk do ju shijojnë. Por ndoshta ai mendon që sa të rriteni, të shkoni diku tjetër, dhe me ato para të mund të kaloni mbroth gjithë jetën tuaj.
Emri jot e dashur, është ai i qytetit ku Profeti së bashku me ata që sapo kishin filluar të besonin në mësimet e tij, themeloi “uman” e parë. Thënë ndryshe bashkësinë e parë islame. Të fesë e cila në ato kohëra si asnjë paraardhëse ju afroi të krishterëve dhe hebrenjve mundësinë e tolerancës së ndërsjelltë dhe bashkëjetesës. Ndoshta gjyshi yt beson në fe, por sa për tolerancën ndaj të ndryshmëve, nuk është shembull për tu marrë. Jo se vret kundërshtarët, që në këtë rast janë socialistët, pasi kohërat janë zbutur. Por bën të pamundurën t’i vdesë urie. Dhe të mendosh se shumë prej tyre i ka pasur shokë e miq!!!
Gjysh Saliu ka mbetur në historinë e këtij vëndi. Nuk ka nevojë të marrë medalje, pasi i ka vendosur tashmë rekordet. Njëzet vjet më parë, u prit si Mesia i ri nga shqiptarët, me shpresën se do ishte ai që do i printe drejt lumturisë dhe Europës, rrugë që kanë pesëqind vjet që e kanë nisur, dhe ende nuk kanë sosur. Sot është kthyer në makth. Fiksimi ndaj pushtetit, e ka bërë të jetë udhëheqësi më jetëgjatë në kontinent në njëzet e tre vjetët e fundit. Kultura e varfër demokratike e këtij populli, pafuqia e njerëzve për të kundërshtuar dhe ikja si rrugëzgjidhje në vënd të rezistencës, ka bërë që dialektika në këtë vënd të ngecë. Sundimi i gjatë, po than njëra pas tjetrës filizat e mendimit ndryshe, aq të nevojshme për prosperimin e një vëndi. Nuk ka dyshim që gjyshi është burrë i zoti, dhe miletin që ka nën hyqëm, mund të vazhdojë ta qeverisë për vite të tjera. Por të vetmen gjë që nuk mund të bëjë, është t’iu lërë juve një mbretëri. Jo se nuk ka ndodhur më parë në botë. Jo se është e pamundur me shqiptarët. Dhe as se mund ta pengojnë a ta trembin. Por thjesht se nuk mund të ngrihet një mbretëri mbi themelet e mëkatit. Dhe në u themeloftë, nuk ka jetë të gjatë.
Unë nuk po zgjatem në bisedën me ty. Po e mbyll me këshillën që ta duash gjyshin tënd. Uroj që një ditë të kujtohet se është edhe gjysh i gjithë shqiptarëve, e që duhet të kujdeset për mbarësinë e tyre, dhe jo t’iu tregojë përralla. Pasi përrallat tashmë prej vitesh nuk i beson as ti Medina, lëre më një popull që ka hyrë në mijëvjeçarin e pestë të jetës së tij, por ende nuk ka gjetur një udhëheqës që mos ta trajtojë si të njerkës.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)